Opinione

Muja: Kurti në rrugëtim që të marrë vota edhe më shumë se Ibrahim Rugova

Analisti Armend Muja, i cili gjithashtu merret edhe me sondazhe, thotë të ketë vërejtur një rritje të madhe të mbështetjes të qytetarëve për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Kjo rritje sipas tij ka ndodhur ndërmjet datave 6 shkurt dhe 28 mars. Ndërsa, vetëm në periudhën e mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti, mbështetja në votë për liderin e VV’së është rritur për 63 mijë.

“Mocioni dhe efekti elektoral -–Në Kosovë kishte një revolucion të heshtur. Transformimi politik në një kohë kaq të shkurtër më së miri shpjegohet pas fjalise se famshme ‘rrimë bre, jo po shkojmë’. Opozite me shume deputet qe nuk reflektojne gjendjen ne terren. Unë e shoh gjendjen elektorale në Kosovë afersisht sic e thotë UBO Consulting. VV pothuajse eshte dyfishuar. Nuk duket të jenë kinez as egjiptian por vendas. Vlerësohet se rreth 94,000 votues potencial kanë kaluar në anën e Kurtit ndërmjet 6 shkurt-28 mars, 63,000 nga ta vetem në periudhen e mocionit 21-28 mars”, shkruan Muja.

Për më tepër ai thotë se Kurti është në rrugëtim të bëhet edhe më i votuar se sa Ibrahim Rugova, i cili vazhdon të jetë politikani që kishte mbështetjen elektorale më të madhe në Kosovën e pas çlirimit nga Serbia.

“Gjithashtu, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një të ardhme të afërt dhe gjërat mbesin kështu sic janë, Kurti është në rrugëtim të jetë më i votuar se sa ish Presidenti Rugova. Pra, Kosova duket afërisht e ndarë në dy pole : VV në njëren anë dhe të gjitha partitë tjera në anën tjetër. Nuk duhet fakturuar vetëm VV-së këtë zhvillim por edhe veshtiresive që ka votuesi të pikas dallimet ndërmjet partive opozitare”, thotë Muja.

Kjo rritje e VV’së sipas Mujës, vjen për shkak të rreshtimit të gabuar të LDK’së, PDK’së, AAK’së dhe NISMA’s.

“Pse u dyfishua VV? – Entuziazmi me LDK-në si alternativë politike është zbehur ndërmjet 6 tetor 2019 – 6 shkurt 2020. Shumica e kandidaturave të reja ishin pa fuqi politike dhe ‘shminka’ për pleqsinë e LDK-së. E dyta, rreshtimi i gabuar i partive të rendit të vjetër (PLAN) në konfrontimin Vucic-Kurti. Nuk kishe konfrontim Kurti-SHBA, ai ishte konfrontim ndërmjet tij dhe Vucic. ‘Pro-Amerikanizmi’ i partive PLAN është vështruar nga njerëzit si si kamuflim për të avancuar pozicionin e Vucic në Kosovë. Ky gabim ka qenë fatal për LDK-në, PDK-në dhe partitë satelite sidomos pasi vendet e BE-së përkrahën Kurtin. Votuesi në Kosovë historikisht shpërblen kundërshtarin e përceptuar të Serbisë”.

Megjithatë në këtë analizë të tijën, Muja tregon edhe pozicion personal, gjë që ja humb peshën e vështrimit të tij analitik. Ai qeverisjet e kaluara i quan skrraja, rrëzimin e qeverisë Kurti si të gërditshme.

“E treta, kanë filluar të dalin skrrajat nga këneta e turbullt e qeverisjes së këtyre dy dekadave të kaluara. VV është pozicionuar si parti anti-establishment dhe ‘dalja e skrrajave’ në sipërfaqe do e rrënoj autoritetin e parive të partive PLAN”.

“E katërta, shembja e qeverisë në kohën e pandemisë (Coronavirusit) ishte jo rrëzim i Kurtit por rrënim përfundimtar i legjitimitit të partive PLAN. Ishte tuxharllëk i gërrditshëm politik në kohën kur Kosova ishte në gjendje të rëndë. Është tashmë evidente që tentimi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme ishte përpjekje për të minimizuar reagimin e VV-së dhe qytetarëve ndaj grabitjes së pushtetit. Qeveritë në Kosovë asnjëherë nuk janë krijuar pa partinë fituese. Me këtë ambiguitet kushtetues, LDK nuk ka legjitimitet politik. Me këtë gjendje elektorale, LDK e ka të vështirë të siguroj stabilitet politik edhe në Podujevë e lëre më në të gjithë vendin”, ka thënë Muja.