Shqetësuese/ Pasivizimi i shqiptarëve nga regjistrat civil vazhdon edhe në Malësinë e Bujanocit
Ministria e Punëve të Brendshme serbe ka filluar t’i merr disa vendime të çuditshme ndaj shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë por edhe në Bujanoc.
Në dokumentin e siguruar nga portali arbresh.info shihet se si MPB e Serbisë po i pasivizon qytetarët nga regjistrat civil.
“Pasivizohet vendbanimi i R.B në adresën Ranja Banja në Medvegjë. Obligohet i lartpërmenduri që të lajmëroj vendbanimin dhe adresën në të cilën jeton, në afat prej tetë ditësh nga koha e marrjes së këtij vendimi” thuhet në vendimin e MPB të Serbisë, dërguar qytetarit.
Ndërsa në arsyetimin e vendimit të ministrisë serbe thuhet se me datë 13.03.1989 R.B e kishte lajmëruar vendbanimin në Ranje Banje të Medvegjës, por pas verifikimit është konstatuar se nuk jeton aty.
“Pas verifikimit në teren nga ana e zyrtarëve policor të Medvegjës, vërtetohet se i njëjti nuk jeton në adresën e lartshënuar, por gjendet në Krahinën Autonome të KiM, saktësisht në Prishtinë, pa adresë të saktë të banimit” thuhet në vendim. Vendimi është marrë me 15 tetor 2015 nga drejtoria e Policisë në Leskovc , stacioni i Medvegjës.
I pyetur për këtë shqetësim të banorëve, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka konfirmuar lajmin për portalin arbresh.info duke thënë se një pjesë e këtyre banorëve nuk po pajisen me dokumente personale të reja nga Serbia.
“Dukuria e pasivizimit të qytetarëve nga regjistrat civil të vendbanimit, ka nisur fillimisht në Medvegjë, e së fundmi edhe fshatrat e Malësisë së Bujanocit.
Është fjala për qytetarët shqiptarë që kanë braktisur vatrat e tyre në kohën e zhvendosjes së forcave serbë nga Kosova dhe stacionimit të tyre nëpër vendbanimet shqiptare në këto komuna. Nën frikën nga forcat që kishin kryer krime në Kosovë, banorët lanë shtëpitë e tyre dhe u vendosën në Kosovë”, është shprehur ai.
Kjo dukuri rrezikon seriozisht ndryshimin artificial të strukturës së popullatës nëpër këto komuna, thotë kryetari Kamberi i cili e ka ngritur si problem edhe në parlamentin në Beograd.
“Një pjesë e këtyre banorëve ka mbetur pa dokumentacion valid, e sidomos ata që ndërkohë kanë mbërri moshën 18 vjeçare, nuk po pajisen me dokumentacion personal të ri. Këtë çështje e kam ngritur në parlament në Beograd, duke kërkuar nga Ministria e brendshme, për ndërprerjen e kësaj fushate.”
Në përgjigjen e marrë nga MPB, Kamberi thotë se Ministria deklaron se nuk bëhet fjalë për shlyerjen nga vendbanimi por, për pasivizim të vendbanimit, që nënkupton të drejtën e personit që përsëri të paraqesë vendbanim të ri.