Policia amerikane ia shkrep 7 plumba afrikano-amerikanit në sytë e fëmijëve të tij
Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihen disa policë, që e qëllojnë një afrikano-amerikan shtatë herë, derisa po futej në makinë, në një nga shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pak kohë pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pushuan trazirat për vrasjet e afrikano-amerikanëve nga policët, një tjetër rast ka ndodhur.
Videoja që nxiti trazira të reja, nis me burrin që po ecte drejt makinës së tij dhe tre policë po e përcillnin. Kur ai e hap derën e makinës, polici e qëllon shtatë herë në shpinë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Kenosha, shteti i Wisconsinit.
Një medium lokal i Kenoshas ka raportuar se qytetari u qëllua në sytë e fëmijëve të tij. Një avokat i të drejtave të njeriun ka thënë se tre djemtë e të qëlluarit kanë qenë brenda veturës.
Policia e Kenoshas ka thënë se “një person është në gjendje të rëndë në spital, pasi u qëllua nga policët të dielën, rreth orës 17:00, kur policia po i përgjigjej një ‘incident të brendshëm’”, shkruan the Guardian, transmeton Gazeta Express.
This just happend in Kenosha, WI. ?#BlackLivesMatter. pic.twitter.com/QLW7Vxtdzm
— chrizi (@nolimitchrizi) August 23, 2020
Nuk janë dhënë detaje nga policia se çfarë i shtyu zyrtarët e saj ta qëllojnë qytetarin.
Menjëherë kanë nisur protestat e fqinjëve dhe tubime të qytetarëve të rrugëve përreth ku ka ndodhur rasti. Aty janë dëgjuar thirrjet “pa drejtësi, s’ka paqe”.
The Washington Post raporton se qytetin e Kenoshas është shpallur gjendje e jashtëzakonshme të hënën, për shkak të protestave që po bëhen kundër sjelljes së policisë.
Muaj më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën trazira disajavëshe, për shkak se një polic shkeli në qafë një afrikano-amerikan dhe nuk e lëshonte, edhe përkundër se ai thërriste se nuk mund të merrte frymë. George Floyd vdiq, pas dhunës së policit në Minneapolis të shtetit të Minnesotas. /