15 raste të “Virusit Indian” janë regjistruar në Gjenevë
Sipas një raporti nga transmetuesi publik i Zvicrës, SRF, dy persona kanë sjellë mutacionin e ashtuquajtur indian (B.1.617) me vete pas një udhëtimi nga India në Zvicër.
Ndërsa tani ka të paktën 15 raste të këtij varianti që janë regjistruar në Gjenevë, transmeton albinfo.ch. Autoritetet shëndetësore të Gjenevës presin një rritje dhe janë duke marrë masa përkatëse.
Javën e kaluar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka klasifikuar variantin indian ose B.1.617 si “shqetësues”.
Ashtu si variantet britanike, afrikano-jugore dhe braziliane, edhe ky është më ngjitës dhe më i vështirë për tu luftuar.
Kjo është arsyeja pse kantoni i Gjenevës imponon rregulla të rrepta karantine dhe testimi për të prekurit dhe për personat e kontaktit.
Aktualisht, në Zvicër po shqyrtohet mundësia e futjes në karantinë të atyre që vijnë nga Anglia, për faktin se atje ka një përhapje të madhe të virusit indian, shkruan albinfo.ch.
Gjermania tashmë e ka vendosur Anglinë në listën e saj të karantinës.