Bota

Më shumë se 2000 të vdekur për një ditë në SHBA, si pasojë e koronavirusit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë vendi i parë në botë me më shumë se 2000 vdekje në një ditë, si pasojë e koronavirusit.

Të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” tregojnë se në 24 orët e fundit atje kanë vdekur 2108 persona, përderisa janë konfirmuar më shumë se gjysmë milioni njerëz të infektuar.

SHBA-ja duket se është afër që të kalojë Italinë me më së shumti vdekje në botë. SHBA-ja tani ka 18777 të vdekur e pak më shumë se 500 mijë të infektuar, sipas “Johns Hopkins”. Gati gjysma e vdekjeve janë regjistruar në rajonin e New Yorkut. Italia është vendi më i prekur nga koronavirusi me 18849 të vdekur deri tash.

Megjithatë, ekspertët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se shpërthimi ka nisur të ndalet përreth Amerikës.

Dr. Deborah Birx ka thënë se ka shenja të mira të stabilizimit, por ka paralajmëruar “se sado inkurajuese janë të dhënat, akoma s’kemi arritur pikun”.

Presidenti Donald Trump ka thënë se pret që SHBA-ja të ulë numrin e fataliteteve të parashikuara prej 100 mijë personash.

Më shumë se 100 mijë njerëz në botë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.