SHOQATA E SHKRIMTARËVE “FENIKS”, SHËNON 7 MARSIN- DITËN E MËSUESIT NË MEDVEGJË…
Karvani i Shkrimtarëve të Luginës viziton Medvegjën
Për ta shënuar ditën e mësuesit 7 Marsin, Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), përkatësisht Karvani i Shkrimtarëve të Luginës, i vizitoi shkollat me mësim në gjuhën shqipe në komunën e Medvegjës.
Fillimisht Karvani e vizitoi sh.f. “Baja e Sijarinës” Në Sijarinë, ku u mirëprit nga drejtori i shkollës, arsimtarët dhe nxënësit.
Poetët e pranishëm: Bilall Maliqi (kryetar), Rexhep Abazi (zv/kryetar), Rrahman Hyseni (anëtar i kryesisë) dhe anëtarët e Shoqatës, Nehat Ramizi, Hajrush Reedenica dhe Lirona Zuka, lexuan poezitë e tyre para nxënësve.
Kryetari Maliqi foli për rëndësinë e 7 Marsit, ndërsa Rexhep Abazi i udhëhoqi orët letrare.
Edhe nxënësit lexuan poezi të mësuara përmendësh nga lekturat shkollore.
Në fund të kësaj ore letrare, poetët i dhuruan libra bibliotekës së kësaj shkolle.
Në sh.f. “Zenel Hajdini” në Tupallë, Karvani mbajti orën e dytë letrare me nxënësit e kësaj shkolle. Poetët e Karvanit, lexuan poezitë e tyre para nxënësve, ndërsa në fund poetët dhuruan edhe në këtë shkollë libra autorialë.
Po ashtu drejtoreshës së kësaj shkolle, znj, Arlinda Kadriut, iu nda mirënjohje për bashkëpunim nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks”.
Në SHMT “Nikolla Teslla” Në Medvegjë, Karvani mbajti orën tjetër letrare me poetët e pranishëm. Edhe në këtë shkollë u fol për 7 marsin- ditën e mësuesit.
Përpos poetëve të pranishëm, lexuen poezitë e tyre autoriale edhe nxënësit:Rinesa Beiçi, Arbenita Balaj, Florentina Balaj dhe Shkurtesa Halimi.
Edhe në këtë shkollë poetët dhuruan libra autorialë pë bibliotekën e shkollës.
Për ta përmbyllur aktivitetin për ditën e mësuesit, Karvani i Shkrimtarëve të Luginës, e vizitoi edhe shkollën fillore “Gornja Jabllanica” në Medvegjë. Në këtë shkollë poetët e pranishëm lexuan poezi kryesisht për më të vegjlit.
Interesimi për ta dëgjuar fjalën e bukur poetike në të gjitha shkollat ishte në nivelin e duhur.
Në fund të rrugëtimit poetik të Karvanit, poetët e vizituan edhe fabrikën e çorapave në Medvegjë, ku u pritën ngrohtësisht nga pronari i fabrikës, z. Muharrem Salihu…
Bilall Maliqi, kryetar