ARKIVAKryesore

​Shkruan Fitim Hajrullahu: MOZAIKU KOHORË – PENDA E RAHOVICËS

  Presheva si një tërësi e vendbanimeve e cila në krahasim me qytetet për rreth saj e sidomos pas vitit 1912 vazhdimisht ishte lënë pas dore dhe anashkaluar pothuajse se në të gjitha segmentet e jetës e sidomos në aspektin nacional, politik por edhe atë social e ekonomik. E gjithë kjo si pasojë e pushtimit serb të kësaj treve e cila ishte e banuar me popullatë shumicë shqiptare.
       Mirëpo ishin edhe disa periudha kohore kur është tentuar që të bëhet diçka në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të komunës së Preshevës e që në atë kohë ishte një jetë shumë e vështirë si në aspektin e sigurisë edhe në atë të të drejtave të mohuara nacionale por edhe në aspektin ekonomik për familjet  shqiptare.

       Pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1966 filluan të relaksohen raportet e sistemit shtetërorë ndaj shqiptarëve, sigurisht jo në atë masë sa duhej të ishin por në krahasim me atë se sa ishin deri atëherë, filluan të zbuten. 

Si vazhdimësi e kësaj  fryme në vitin 1970 për herë të parë shqiptarët fituan edhe Universitetin e Prishtinës. Me këtë shqiptarët fituan një armë shumë të fortë për zhvillim dhe avancim gjithë kombëtarë në të gjitha sferat e jetës. E gjithë kjo sigurisht që u reflektua dhe pati jehonë edhe në komunën e Preshevës.

       Kështu që në fund të viteve të 60-ta dhe në fillim të viteve të 70-ta në komunën e Preshevës për herë të parë filluan të ndërtohen shumë objekte shkollore e kulturore por edhe infrastrukturore dhe ekonomike. Udhëheqësit e komunës tashmë me kuadro shqiptare edhe pse me shumë vështirësi filluan të ndyshojnë të dhënat statistikore për Preshevën në shumë drejtime. Por Presheva vazhdonte ende të ishte ndër komunat më të pa zhvilluara në vend.

       Ndër investimet ekonomike kryesore dhe shumë të rëndësishme për komunën e Preshevës për atë kohe ishte ai i Pendës së Rahovicës si një investim kapital dhe afatgjatë i komunës sonë. Duke pasur parasysh relievin dhe pozitën gjeografike të komunës së Preshevës e cila është e pasur me ujë dhe e rrethuar me male për rreth dhe fushën e saj, e që ishte çelësi i ekzistencës ekonomike të familjeve shqiptare si dhe aktiviteti bujqësorë e ekonomik i popullatës së kësaj treve ishte i domosdoshëm një investim afatgjatë në atë drejtim.

       Në vitin 1973, për fat të mirë të një plani për zhvillim ekonomik 5 vjeçarë të atyre viteve si dhe ndërmarrjes bujqësore e prodhuese “Delishes” nga Vladiçki Hani, udhëheqësit komunal të Preshevës me në krye Hasan Hajrullahun, kryetar i komunës në atë kohë filluan përgatitjet serioze për ndërtimin e një Pende në komunën e Preshevës. 

Foto e vitit 1974, gjatë punimeve te Penda e Rahovicës (huazuar nga Begoll Osmani Çitaku)
       Analizat dhe hulumtimet me ekspert të bujqësisë dhe të menaxhimit të ujrave kishin dhënë propozime që fuysha e Preshevës të ketë sistemin e ujitjes përmes ndërtimit të Pendës mbi fshatin Rahovicë ku kapaciteti i burimit të ujërave dhe derdhjeve të tjera të kenë furnizime të përhershme në këtë Pendë.

       Edhe pse kishte shumë vështirësi dhe pengesa nga qarqe të ndryshme që ky projekt të mos fillojë të realizohet në komunën e Preshevës udhëheqësit e atëhershëm komunal ishin të vendosur dhe këmbëngulës që ky projekt me rëndësi jetike p ë r qytetarët e Preshevës të realizohet plotësisht. Kështu që pas një angazhimi të madh dhe nën mbikqyrje të shtëpisë projektuese “Jaroslav Cerni” kishte filluar ndërtimi i Pendës së Rahovicës. Ky ishte një projekt kapital dhe me plot shpresë ku njëherit edhe ishte i mirëpritur nga qytetarët e kësaj treve. Qëllimi i realizimit të këtijë projekti sipas drejtuesve të pushtetit lokal të atëhershëm në krye me zotin Hajrullahu kishte për qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë dhe pemtarisë por edhe ngritjen e kapaciteteve ekonomike e bujqësore të qytetarëve të komunës së Preshevës. Shumë të punësuar në këtë objekt ishin nga fshati Rahovicë e që njëri ndër ta që më së gjati kishte punuar aty ishte edhe Hysen Cen Paja.

Hasan Hajrullahu – Kryetar i komunës, inicues dhe realizues i ndërtimit të Pendës së Rahovicës (Foto e vitit 1973)

Duke e pare këtë projekt nga kjo distancë kohore lirisht mund të themi se ka qenë një investim shumë i qëlluar dhe i duhur si në aspektin ekonomik por edhe në atë kombëtarë. Sipas statistikave të asaj kohe në vitin 1971, 70% e popullsisë që ishte shumicë shqiptare merrej me bujqësi dhe blegtori andaj investimi në këtë veprimtari ishte investim në ekzistencë dhe qëndrueshmëri duke krijuar për banorët siguri ekonomike dhe ekzistenciale që për atë periudhë kohore ishte primare. Gradualisht filluan të hapen edhe reparte të tjera ekonomike e industriale që sado pak i ndryshuan të dhënat statistikore në aspektin ekonomik e social në komunën tonë duke patur parasysh se dallimet ishin shumë të dukshme nga komunat fqinje.

Pjesë nga procesverbali i takimeve të para të udhëheqjes komunale dhe udhëheqësve të Odës Ekonomike dhe sipërrmarjes së ujërave për nisjen e projektit të Pendës së Rahovicës, mbajtur më 22.01.1973

       Andaj fatmirësisht Penda e Rahovicës edhe në kohën e sotme e ka peshën dhe rëndësine e vet si në anën bujqësore, por edhe në atë ekonomike, sepse janë hapur mundësitë që në aspektin rekreativ e turistik te shfrytëzohen potencialet e kësaj hapësire edhe pse në administratën komunale nuk ekziston asnjë dukument për këtë objekt. Prandaj organet komunale duhet të nxisin dhe stimulojne si bizneset vendore por edhe investitorët e mundshëm potencial qe të investojnë në atë hapësire duke ju krijuar kushte te volitshme për investim.Gjithashtu duhet të bëhen perpjekje që të hapet një organizatë turistike në komunën e Preshevës për të nxitur turizmin në këtë pjesë si atë rekreative por edhe atë të peshkimit për çka dallohet Penda e Rahovicës. 

 

Por ajo që ja shton edhe më shumë madhështinë kësaj hapësire është edhe përmendorja e heron jë ve të UÇPMB-së, vendrënia e komandant Bardhyl Osmanit – Deltës, Shaban Ukshinit – Territ, Sami Ukshini – Kingji e Kastriot Arifit,  që na shton krenarinë por edhe vërejtjen për rëndësinë e kësaj pjese, por gjithashtu të bëhet edhe si një vend frymëzim për gjeneratat e ardhshme.

Pllaka përkujtimore e dëshmorëve të kombit i bën roje Pendës së Rahovicës.

  Sidomos duhet të kemi kujdes që jo vetëm pendën si objekt ta ruajmë por edhe hapësirën për rreth pendës ta mirëmbajmë sa më pastër, sepse kjo është një perlë që na ka dhuruar zoti e natyra, por edhe si një vend i bekuar me përmendoren e heronjëve tanë.