Zvicër: Gjobë deri në 10.000 franga për mosmbajtje të maskës
A mund të gjobitet dikush nëse nuk mban maskë pavarësisht detyrimit për maskë në ambientin përkatës?
Kjo pyetje shtrohet shpeshherë në Zvicër që nga hyrja në fuqi e detyrimit në fjalë, në korrik të këtij viti.
Po ashtu rreth kësaj çështjeje është bërë fjalë edhe në konferencën e sotme për media të mbajtur në Bernë. Pyetjes rreth maskës i është përgjigjur Michael Gerber nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).
Shkelja e detyrimit për maskë mund të dënohet me gjobë deri në 10,000 franga, bazuar në Ligjin mbi Epidemitë, shkruan 20minuten.ch.
Shkelja e detyrimit të mbajtjes së maskës, kur ajo bëhet nga neglizhenca është gjithashtu e dënueshme, transmeton albinfo.ch. Ata që bëjnë një shkelje të tillë mund të dënohen me gjobë deri në 5.000 franga.
Ndjekja penale për shkeljen e përmendur është çështje që hyn në kompetencë të kantoneve. Kjo vepër penale vlerësohet nga autoritetet kantonale kompetente.
Nga ana tjetër një pronar i një dyqani mund të vendosë vetë nëse do të bëjë kallëzim penal për shkeljen e detyrimit të maskës.
Policia ka për detyrë të raportojë nëse zbulon shkelje të dyshuara të detyrimit për maskë, përcjell albinfo.ch. Mbetet të shihet nëse shkeljet do të ndiqen me të vërtetë.
Në konferencën për shtyp, Michael Gerber nga BAG, duke folur për këtë çështje i është referuar parimit të proporcionalitetit. Me fjalë tjera, rreth saj do të vendoset sipas vlerësimit të bërë në rastet konkrete.