Zelanda e Re heq të gjitha kufizimet, kryeministrja: Festova me një kërcim
Zelanda e Re do të heqë të gjitha masat e kufizimeve të koronavirusit. Hotelet, restorante, bare e shërbime të transportit publik do të operojnë me kapacitet të plotë, pa masat që janë në fuqi në vende të tjera të globit.
“Jemi gati”, tha kryeministrja Jacinda Ardern duke përgëzuar vendasit për unitetin e treguar, në luftën kundër pandemisë.
“Sot, nuk kemi më raste aktive me COVID-19 në Zelandën e Re. Testuam gati 40 mijë vetë gjatë 17 ditëve të fundit e asnjë prej tyre nuk rezultoi pozitiv. Prej 12 ditësh nuk kemi pasur një të shtruar në spital me Covid-19. Kanë kaluar 40 ditë që prej rastit të fundit të transmetimit, dhe 22 që kur personi i fundit kreu vetëkarantinimin. Kështu sot, mund t’ju njoftoj se kabineti ka rënë dakord që të avancojmë në nivelin 1, pra duke rihapur plotësisht ekonominë”, tha kryeministria e ishullit, e cila është vlerësuar nga shtypi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për qasjen e kujdesshme dhe rigoroze në menaxhimin e emergjencës shëndetësore.
Fitoren në betejën kundër COVID-19, Ardern tha se e kishte festuar përmes një kërcimi me vajzën e saj. Kur gazetarët i kërkuan të bënte të njëjtën gjë para kamerave, ajo u përgjigj:
“Jo jo nuk e bëj…Ia tregova vajzës sime. Ajo u zu në befasi por mu bashkua, edhe pse nuk e kishte idenë pse po kërcenim.”
Zelanda e re regjistroi vetëm 1500 raste dhe 22 vdekje nga COVID-19./Opinion.al