Zeka mbështet angazhimin e Thaçit: Takimi i tij me Vuçiqin është pozitiv për Kosovën
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i ka dalë në përkrahje presidentit Hashim Thaçi, në iniciativën e tij për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Zeka thotë se takimi i tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Uashington është pozitiv për Kosovën.
Ai gjithashtu ka kërkuar që të largohet taksa ndaj Serbisë në mënyrë, siç thotë “mos të hyhet në konflikt me ShBA-të”.
Kryetari i Partisë Euroatlantike, Milaim Zeka për KosovaPress, ka folur edhe për qeverisjen një mujore të kryeministrit Kurti.
Ai thotë se shkarkimet që i ka bërë shefi i ekzekutivit nuk duhet t’i shërbejnë për sistemim të militantëve të tij
“Në mënyrë absolute e mbështesë tërë angazhimin e tij dhe përfaqësimin e tij në politikën e jashtme. Në qoftë se president i vendit, kishte me pyet lloj-lloj bozhibozuku në Ramubje, ne sot nuk do të ishim këtu fare. NATO nuk do të bombardonte Serbinë, kështu që zërat se presidenti duhet të marrë miratimin e Hasanit dhe Hysenit dhe duhet të takohet, jo të takohet me Vuçiqin, jo të mos takohet me Vuçiqin – këta janë zëra të mjerimit politik. Takimi i tij me ndërmjetësimin e ShBA-ve në shtëpinë e bardhë është një takim historik, shumë pozitiv për Kosovën”, thotë ai.
Zeka mendon se taksa e vënë ndaj Serbisë nuk ka pasur efekt pozitiv ekonomik – për këtë sipas tij, duhet të largohet.
Taksa kam thënë prej fillimit, edhe në kohën e kryeministrit (Ramush) Haradinaj që ajo të hiqet për arsye se ajo ka pas vetëm efekt politik në muajt e parë. Ndërsa ka pasur efekt negativ ekonomik për arsye se tarifën e taksës e kanë paguar qytetarët e Kosovës. Një bukë nëse ka kushtuar 30 cent, me vendosjen e taksës është bërë 50 cent, kështu që taksa 100 për qind duhet të hiqet, nuk duhet të diskutohet dhe të hyhet në konflikt me ShBA-të. As me BE-në sepse disa vende të BE kanë tendenca për të shty Kosovën në konflikt politik me ShBA-të”, u shpreh Zeka për KosovaPress.
Ish-deputeti thotë se i mirëpret vendimet e para të qeverisë Kurti, derisa i bëri thirrje organeve relevante të drejtësisë, të bëjnë ndjekje penale gjithë bordeve të shkarkuara.
Të gjitha këto vendime i mbështes dhe janë vendime të mira. Me përjashtim që kryeministri Kurti duhet t’iu bëj të qartë të gjithë ish bordeve të kaluara, se përpos shkarkimeve ai duhet me i bërë thirrje shtetit që t’i ndjekin këta njerëz penalisht. Në qoftë se Albin Kurti ka qëllim me ndjek yrnekun e qeverive të kaluara, atëherë vaj halli për të. Në qoftë se dëshiron që me i dërgu militantët e vet, me i sistemu në borde, në kompani të ndryshme, atëherë është tendencë e njëjtë. Dështimin do ta ketë edhe ky si qeveritë tjera”, thotë ai.
Milaim Zeka legjislaturën e kaluar ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, derisa në zgjedhjet e vitit të kaluar, bashkë me partinë që e udhëheq, PEK nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.