Zejnulla Dauti jep dorëheqje nga PDSH!
Ish-sekretari i Partisë Demokratike Shqiptare, Zjenulla Dauti ka dhënë dorëheje të parevokushme nga të gjitha strukturat e partisë, përcjell Ministria e Lajmeve
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Dautit:
Të nderuar,
Përmes këtij publikimi, me keqardhje të madhe, dua që të gjithë ata që më kanë përcjellur, ndihmuar e mbështetur deri më tani, t’i njoftoj se që nga sot LARGOHEM përfundimisht i të qenurit anëtarë i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) si dhe DORËHIQEM nga të qenit delegat i Kuvendit të VII-të zgjedhor, të mbajtur në dhjetorin e vitit 2020.
Pas një periudhe të gjatë kohore si anëtarë, mbështetës, votues e kontribues në PDSH, e në mandatin e fundit (2016-2020) duke qenë edhe anëtarë i Kryesisë si dhe Sekretar i këtij subjekti politik, për arsye të shumta po e marrë këtë vendim, sado që i dhimbshëm për mua e për disa nga ju ndoshta edhe i pavend.
Në pika të shkurtëra, në vazhdim do të mundohem që të jap arsyet e mia për largim:
- angazhimi im politik në PDSH nuk mund të vazhdoj tutje, sidomos pas zhvillimeve politike në subjektin të cilit i takoja, nga përfundimi i Kuvendit të VII-të zgjedhor në të cilin kisha mbështetur Ilir Sadriun, kandidat për Kryetar të PDSH-së,
- për shkak të dështimeve të shumta politike të PDSH-së, nga Kuvendi i VII-të zgjedhor e tutje deri më sot nuk u dha asnjë përgjegjësi,
- rezultatet zgjedhore, nga 2020 e këtej, si dhe zhvillimet e brendshme në PDSH, e bënë të pamundur bashkëpunimin si dhe mbrojtjen e programit të kësaj partie dhe vlerave të ndërtuara në të kaluarën,
- edhe përkundër angazhimit tim të sinqertë në zgjedhjet e fundit lokale të marsit 2021, në PDSH u zhvillua politika diferencuese ndaj të gjithë neve që kishim mbështetur Ilir Sadriun, për Kryetar partie e jo liderin aktual, e që si pasojë pas Kuvendit të VII-të zgjedhor të subjektit, një numër i konsiderushëm i anëtarëve të denjë të subjektit mbetën jashtë strukturave udhëheqëse,
- politikat diferencuese nga ana e liderit të PDSH-së vazhduan edhe me organizimin e zgjedhjeve të fundit për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke mos na konsultuar në lidhje me vendimet e Partisë, duke na dëshmuar se ne mund të jemi vetëm spektatorë të thjeshtë,
- kjo politikbërje e liderit të subjektit solli si rezultat që PDSH të renditet forca e fundit politike dhe me rezultatin më të dobët në historinë e saj.
Duke mos dashur që të zgjerohem më shumë, dëshiroj që me këtë rast t’i falënderoj secilin anëtarë, aktivistë, mbështetës, votues e simpatizantë të sinqertë të PDSH-së me të cilët kam bashkëpunuar dhe vepruar, për besimin dhe mbështetjen që ma kanë dhënë.
Rrugëtimi im politik në të ardhmen do të jetë në ALEANCË me qytetarët dhe për qytetarët, duke shpresuar në promovimin e ideve dhe vlerave të mirëfillta, identifikimin e problemeve si dhe gjetjen e zgjidhjes së tyre për të gjithë, pa përjashtuar e as privilegjuar asnjërin, për një jetë më të mire dhe më të dinjitetshme.
Me respekt, Zejnulla Dauti