Lajme

Zbulohet mënyrë e re për identifikimin e pacientëve me COVID-19

Një grup shkencëtarësh në Australi kanë zbuluar një test të ri të prototipit të gjakut, me anë të të cilit mund të zbulohet nëse sistemi imunitar i një pacienti ka aftësinë për të luftuar sëmundjen e re të shkaktuar nga koronavirusi.

Ky lloj testi identifikon nivele të larta të dy sinjaleve kryesore kimike – interferon-gama dhe interleukin-2 ,që prodhohen nga qelizat T, lloj ky i leukociteve që i njohin dhe më pas i shkatërrojnë qelizat e infektuara.

Këto dy sinjale janë të përfshira në asgjësimin e qelizave të infektuara nga virusi dhe mund gjithashtu t’i ndihmojnë qelizat e tjera T që ta synojnë zonën e infektuar.

Sipas shkencëtarëve australianë, personat e infektuar me koronavirus dhe që kanë nivele të ulëta të këtyre dy sinjaleve kimike mund të jenë më të prirë të vuajnë nga simptomat më të rënda të sëmundjes, të shkaktuara nga virusi SARS-CoV-2. Ata gjithashtu janë edhe më të rrezikuar nga vdekja si pasojë e sëmundjes.

Autorët e studimit kanë bërë të ditur se besojnë që ky lloj i testit të gjakut mund të jetë i rëndësishëm, në kohën kur me miliona njerëz nëpër botë presin që të marrin një vaksinë të sigurt dhe efektive.

Me qëllim të jetësimit të studimit, shkencëtarët kanë përdorur gjakun e 44 dhuruesve, të cilët ishin shëruar nga COVID-19, duke përfshirë në këtë mes burra dhe gra të moshës midis 20 dhe 75-vjeçare. Pas kësaj, ata shqyrtuan një sërë peptidesh të SARS-CoV-2 për të gjetur se cili kombinim mund të përdoret për të gjetur një përgjigje të suksesshme imune të qelizave T.

Pasi i izoluan qelizat T nga gjaku i dhuruar, ekspertët i ekspozuan ato ndaj peptideve virale dhe e matën prodhimin e një numri molekulash të ndryshme sinjalizuese.

Ata i krahasuan gjithashtu nivelet e prodhuara nga qelizat T të pacientëve të shëruar me nivelet e lëshuara nga qelizat T prej të paktën 20 dhuruesve të shëndetshëm, të cilët kurrë nuk ishin infektuar me koronavirusin e ri.

Ekipi më pas zbuloi se qelizat T nga pacientët e shëruar prodhuan sasi më të mëdha të dy molekulave sinjalizuese.

Ekipi i studiuesve beson gjithashtu se kjo gjetje mund të përdoret për të kuptuar në një fazë të hershme pse sistemi imunitar i disa pacientëve nuk po përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj virusit dhe se cilat grupe mund të jenë më të rrezikuara për t’u sëmurë më rëndë me COVID-19.

Testi i gjakut besohet të jetë i dobishëm në ato vende që janë përballur me valë të dyta dhe të treta të përhapjes së rasteve me koronavirus.

Ndërkaq në një rast tjerët, kamerat ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur që ta demonstrojnë vizuelisht rrezikun e bartjes së virusit nëpërmjet ajrit.

Ndërsa dimri po afrohet, SHBA-ja është përballur me rritje të numrit të infeksionit me virus dhe po ashtu të vdekjeve të ndërlidhura me COVID-19. Afro 300 mijë amerikanë kanë vdekur si pasojë e COVID-19, ndërsa zyrtarët e shëndetit publik kanë thënë se virusi mund të përhapet nëpërmjet ajrit.

Koronavirusi i ri më së shpeshti përhapet nëpërmjet një kontakti të afërt, por për ta demonstruar përhapjen e tij nëpërmjet ajrit “Washington Post” ka përdorur një kamerë me rreze infra të kuqe, të kompanisë “FLIR Systems”, për të parë se si ndodh përhapja e virusit në ajër.

“Imazhet tregojnë shumë. Duke parë dy njerëz nëpërmjet kamerave gjatë komunikimit, dhe duke parë se çfarë ndodh, është shumë e vlefshme”, ka thënë Rajat Mittal, profesor në Universitetin John Hopkins dhe ekspert në çështjet e shpërndarjes së virusit.

Kamera me rreze infra të kuqe kap shumë gjëra që nuk janë të qasshme për syrin e njeriut. Teknologjia më tepër përdoret në ushtri dhe në gjërat industriale, si shembull në zbulim të rrjedhës së gazit të metanit nga tubat. \ AP