Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup, në mesin e të dyshuarve edhe babai i saj
Policia dhe prokuroria maqedonase të hënën kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi, si dhe të një personi tjetër me inicialet P.ZH, 74 vjeç nga qyteti i Velesit.
Lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, që besohet të jetë edhe autori i krimit, është arratisur nga Maqedonia e Veriut.
Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën në Shkup, ndërsa ai 74-vjeçarit është gjetur në Veleshtë.
Vanja Gjorçevska, 14 vjeçe, ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë.
“Lidhur me të dyja rastet janë të dyshuar pesë persona dhe për tre prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, njëri ndodhet në arrati jashtë shtetit. Ndërsa, personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike… Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ai ka thënë se policia do të bëjë gjithçka të mundur për nxjerrjen para drejtësisë të autorit kryesor të krimit. Fjala është për personin me inicialet L.P nga Shkupi, i njohur në opinion si drejtues i lëvizjes “E treta”.
“Do të bëjmë gjithçka që ky person apo kjo monstër sapo të shkel në tokën tonë, të vihet para drejtësisë”, ka thënë Spasovski.
Kreu i MPB-së bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast, është i përfshirë babai i saj, i cili, siç është shprehur Spasovski, i ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.