Shqipëri

“Zaho si Gramozi, Linda opozita”, Rama flet për familjen e tij në Kongres

Dita e parë e Kongresit të Partisë Socialiste i kishte në fokusin e saj gratë. Por megjithatë referatat në kongres u mbyllën nga kryeministri Rama.

Ai foli më shumë për familjen e tij dhe falënderoi disa herë gruan e tij, Linda e cila sipas tij është ‘themeli’ i shtëpisë që përballon edhe ‘tërmetet’ e shkaktuar nga ai.

Kryeministri tha se në shtëpinë e tij, gruaja e tij Linda është opozita e tij më e fortë.

“Po të mos e kisha në shtëpi, me atë opozitë që kemi në rrugë do më dukej vetja më i madhi në botë”, tha Rama.

Ai shtoi se djali i vogël i tij, Zaho është si Gramozi, duke ju referuar kreut të Kuvendit .

“Zahon e kemi si Gramozin nuk ndërhyn në debatet e brendshme të parlamentit tonë. Kur vinë ata dy të mëdhenjtë them me vete ku je o Lul se vetëm ti ma bën jetën të lehtë.”

Pa një rol simbolik, Rama nuk la dhe nënën e tij, Aneta për të cilën tha se është më e vështirë se Bashkimi Europian për standardet dhe kriteret

“Aneta edhe sikur ta kishte bërë vetë (i referohet Lindës) nuk do ta kishte bërë sipas standardeve dhe kritereve të saj. Se Aneta është me e vështirë se BE për standarde dhe kritere.”

Në fund të fjalës së tij, kryeministri ju drejtua grave në sallë për tri çështje. Ai kërkoi nga ati të mos e lëshojnë kauzën e vendosjes së një bashkëkryetareje grua në çdo organizatë socialiste, të nxisin nismën e ministres së Arsimit Besa Shahini për futjen e teksteve të detyruara feministe nëpër shkolla dhe së fundmi të mos i drejtohet më atij dhe njëra tjetrës me ‘zoti’ ose ‘zonja’ në forumet e gruas socialiste. / Opinion.al