Lajme

Ylfete Fanaj “shkruan historinë” e komunitetit shqiptar në Zvicër

Sot, në njërën nga sallat e mëdha të Qendrës së panaireve, në Lucern, është mbajtur seanca zgjedhore dhe solemne e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Masat kundër koronavirusit, kanë bërë që kjo sallë të improvizohej në parlament.

Në rendin e ditës të sesionit të sotëm ishte votimi i iniciativës së partisë së gjelbër për të drejtën e votës së të rinjve 16 dhe 17 vjeçarë në kanton, shkruan albinfo.ch. Ndonëse me 55 vota pro dhe 60 kundër, në bazë të një rregulloreje të këtij parlamenti, iniciativa kaloi një hap më tutje: ajo do të merret në përpunim nga komisioni përkatës, ai i politikave shtetërore. Dhe, siç e thonë njohësit e punës, i ka shanset e mira për t`u jetësuar.

Por, pika më e rëndësishme e rendit të ditës të sesionit të sotëm ishte zgjedhja e kryetares së parlamentit, Ylfete Fanajt. Fakti që po zgjidhej një grua me gjuhë amtare jo zvicerane dhe me vend të lindjes jashtë Zvicrës, e bënte këtë sesion më të veçantë dhe i jepte mbledhjes një peshë të caktuar historike. Dhe, jo vetëm për komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Ajo sot u zgjodh me 91 vota pro, ndërsa do të mjaftonin edhe vetëm 59 sosh për të zënë vendin e “lucernases më të lartë”, siç e identifikojnë këtu postin e kryetarit/res të parlamentit.

“Sot ka ndodhur diçka e paimagjinueshme: falë votimit tuaj unë jam lucernasja numër 1. Me këtë votim keni bërë të mundur që 50 vjet pas hyrjes në fuqi të të drejtës së votës për gratë, të zgjidhet një grua, me prejardhje të huaj në postin më të lartë politik të kantonit. Këtë e bën të mundur Zvicra”, ka thënë veç tjerash Fanaj, djuke ju drejtuar kolegëve të saj deputetë.

Ajo ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj arsimore dhe politike, shkruan albinfo.ch. Ajo ka nënvizuar se me angazhimin e saj po realizon një gjë që prindërve të saj u ishte ndaluar ta realizonin në vendin e prejardhjes.