Xhamitë shqiptare në Zvicër mblodhën mbi 500 000 franga për të prekurit nga tërmeti
Aksioni humanitar një javor, i shpallur nga Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, arriti të senzibilizojë masën e gjerë dhe të mbledh më shumë se gjysmë milion franga për familjet shqiptare të prekura nga tragjedia që shkaktoi tërmeti në Shqipëri.
Një delegacion nga Zvicra, i udhëhequr nga Mehas Alia qëndron në Shqipëri, ku do të shoh për së afërmi, gjendjen e shkaktuar nga tërmeti dhe mundësitë e investimit të ndihmës së tubuar.
“Në Shqipëri do të qëndrojmë disa ditë. Gjatë qëndrimit tonë, kemi paraparë disa takime të rëndësishme, të cilat mendoj që do na mundësojnë për të ndihmuar projekte konkrete me mjetet e tubuara në xhamitë shqiptare në Zvicër” – tha Mehas Alia.
Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë ditës së nesërme, do të takohet me përfaqësues të komunitetin shqiptarë muslimanë, përfaqësues të komunave dhe zyrtarë tjerë shtetërorë, për të parë mundësinë e financimit të ndonjë projekti konkret.
“Gjatë ditës së nesërme, kemi planifikuar të shkojmë në vendngjarrje, për të parë nga afër tragjedinë e shkaktuar nga Tërmeti. Atje do të takohemi me kryebashkiakun e Krujës, atë të Durrësit, Drejtorin e Agjensisë së Emergjancave, si dhe përfaqësuesit fetarë të Krujës dhe Durrësit” – theksoi Aliu.
Lidhur me arsyen e udhëtimit për në Shqipëri, Kryetari UBISHZ-së, Mehas Alia tha: “Qëllimi i udhëtimit tonë në Shqipëri është emaneti i popullit që e ka lënë në dorën tonë. Ne duam të shohim situatën nga afër, të bisedojmë me njërrëz kompetent dhe të koordinohemi për finansimin e projekteve të parapara nga Qeveria Shqiptare, Organizatat Humanitare apo edhe organet tjera.”
Po këto ditë në Shqipëri do të qëndroj një delegacion i xhamive shqiptare nga Gjermania, Austria dhe Italia. Për këtë Aliu tha se janë kooordinuar paraprakisht që këtë vizitë ta realizojnë bashkë. Lidhur me këtë Aliu tha: “Dua të potencoj se udhëtimit tonë për në Shqipëri, do i bashkangjiten edhe përfaqësues të Qendrave Islame shqiptare nga Gjermania, Austria dhe Italia. Si Komunitet musliman shqiptar i Diasporës, do të interesohemi që mjetet e mbledhura për banorët e prekur nga tërmeti të shkojnë në destinacionin e duhur”.
“Përndryshe të gjitha mjetet e tubuara nga Zvicira, Austria dhe Italia, kanë kaluar shifrën e mbi 700 000 eurove.” – njofton në fund të bisedës Mehas Alia, kryetarë i UBISHZ.