Wilson godet Serbinë: Një shtet që synon BE-në nuk duhet të pranojë armë nga Rusia
Vetëm brenda muajit korrik, Serbia ka nënshkruar një marrëveshje ushtarake dhe për armatim me Francën, ndërkohë artileri e rëndë në Beograd ka mbërritur edhe nga Rusia.
Një armatosje e tillë e Serbisë po shihet me shqetësim për sigurinë e rajonit dhe Ballkanit Perëndimor.
Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, ka thënë se një shtet që synon të integrohet në Bashkimin Evropian nuk duhet të pranojë armatim nga Rusia.
“Një vend që synon të shkojë në BE, nuk pranon armë nga Moska, kjo është e papranueshme”, ka thënë Wilson, duke shtuar se e kupton edhe atë se Rusia është në anën e Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara, shkruan Balkan.eu.
Analisti amerikan thotë se rruga e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian shkon përmes normalizimit të raporteve me Kosovën dhe jo përmes armatosjes nga Rusia.
“Rruga e Serbisë për në BE është përmes normalizimit të raporteve me Kosovës dhe jo përmes armatosjes nga Moska”, ka shtuar Wilson.
Ai thotë se kjo lojë e Serbisë po bëhet me të vetmin qëllim për të ngadalësuar procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, duke e quajtur shtetin serb si të papërgjegjshëm.
Serbia sipas një raporti të publikuar këtë vit, është shteti që investon më së shumti në ushtri dhe armatim. Madje, shpenzon më shumë se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.