Vulini i replikon Kamberit: Shaip “Šiptari” s’mund ti mësoj serbët se si duhet të flasin
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, nuk ndalet ai ka vazhduar me gjuhën pezhorative ndaj shqiptarëve.
Sipas Vulinit fjala “shiptar” nuk është ofenduese, dhe se është sinonim i fjalës “albanci” (term ky zyrtar që i referohet shqiptarëve në gjuhën serbe), ndërsa e ka këshilluar deputetin shqiptar në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, që të ndalojë së mësuari serbët se si të flasin, ka raportuar agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
Kamberi dje në një seancë të kuvendit iu drejtua ligjvënësve të pranishëm në gjuhën shqipe. Ai e qortoi ministrin Vulin për përdorim të termit pezhorativ për shqiptarët, “shiptar”.
Ndërsa në reagimin e sotëm, Vulini ka thënë gjithashtu se e ka pritur sot me padurim Kamberin në seancë të Kuvendit për t’i thënë ato që kishte, por tha se ai nuk u paraqit. Vulini tha se të gjithë kanë të drejtë të flasin në gjuhën e tyre dhe se ai kurrë nuk do t’ua mohonte këtë “bashkëvendësve shiptar”.
“Shiptari ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij. Nuk është korrekte që na e pamundësoi përkthimin, por kjo flet për të”, tha Vulini.
Ai shtoi se nuk e kupton ku është problemi që një popull të quhet ashtu siç janë quajtur gjyshërit e stërgjyshërit e tij, teksa thotë se “është e vështirë të gjendet ndonjë serb që nuk thotë shiptar, siç është e vështirë të gjesh shiptarë që nuk thotë ‘shiptar’”.
Vulini thotë se në shekullin e 20-të, “shiptarët tri herë e kanë ndërruar emrin e tyre”, dhe se pas rënies së Perandorisë Osmane, sipas tij, ata thanë se më nuk janë “arnautë”, por “shiptarë” dhe se vendi i tyre është “Shqipëria”.
Ai tha se termi ‘shiptar’ është sinonim për “albanci” dhe shtoi se këtu nuk ka as urrejtje e as ofendim, “por se është turp që Kamberi të vendosë se si të flasin serbët”.