Lajme

Vuçiqi: Po i afrohemi një konflikti të madh botëror

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se çdo ditë po i afrohemi një konflikti të madh botëror, më i madhi në histori, i cili do të marrë më shumë jetë sesa Lufta e Dytë Botërore.

Ai në një intervistë për një TV private në Serbi, tha se nuk ka dyshim se do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Ukrainë dhe një qasje të mëtejshme ndaj konfliktit botëror.

Vuçiqi ka thënë se Serbia nuk po përgatitet për luftë në Kosovë. “Nuk na duhet lufta, na duhet paqe. Serbia nuk do të ngutet në konfliktet e luftës në të cilat disa do ta shpinin”, theksoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se një nga mundësitë është që Serbia të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet.

“Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shihni nëse Serbia do të mbetet në Këshillin e Evropës apo jo. Do ta shohim. Ndoshta ju pëlqen ta keni Prishtinën në Këshillin e Evropës më shumë se Beogradin dhe Serbinë”, tha Vuçiq.

Vuçiqi ka thirrur për nesër mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Ai tha se ka disa arsye pse është thirrur kjo mbledhje.

Sipas tij arsyeja nuk ka qenë vetëm sulmi terrorist në Moskë. Ai bëri të ditur se vendime të caktuara do të merren në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare./rtklive