Lajme

Vuçiqi në takim me Lajçakun insiston në formimin e Asociacionit të komunave

Formimi i Asociacionit dhe mbajtja e procesit zgjedhor në veri të Kosovës janë dy çështje urgjente, i ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në një takim që kanë mbajtur sot.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha në konferencën për media se “Vuçiqi ka insistuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet t’i ndalë provokimet”.

Vuçiq në profilin e tij në Instagram ka thënë se në takim me Lajçakun ka ripërsëritur gatishmërinë e Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj duke respektuar Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së.

“E theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, mbajtjen më urgjencë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.M dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. E ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë në përmbushjen e detyrimeve të saj, në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar Vuçiq.

Petkoviq tha se gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, “Vuçiq theksoi pozitën e vështirë të popullit serb në Kosovë dhe domosdoshmërinë që Prishtina të ndalojë zbatimin e lëvizjeve të përshkallëzuara që prishin jetën e serbëve”.