Vuçiq uron presidentin e ri shqiptar Bajram Begaj: Së bashku do të arrijmë të zhvillojmë të gjitha potencialet e “Open Balkans”
Presidentin e sapo zgjedhur të Shqipërisë, Bajram Begaj e ka uruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Shqipërisë, me dëshirën që ta kryeni me sukses këtë detyrë të përgjegjshme. Jam i bindur që do të zhvillojmë marrëdhënie të mira e miqësore dhe madje bashkëpunim më të mirë ekonomik në fusha të ndryshe në dobi të qytetarëve të vendeve tona”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti i Serbisë në mesazhin e urimit ka thënë se po ashtu beson se së bashku mund t’ia dalin me sukses në zhvillimin e të gjitha potencialeve të nismës “Ballkani i Hapur”.
“Besoj gjithashtu se së bashku do të arrijmë të zhvillojmë të gjitha potencialet e nismës “Ballkani i Hapur”, e cila do të përmirësojë shumë standardet në rajonin tonë”, ka thënë Vuçiç në mesazhin e tij të urimit.
Begaj është zgjedhur zyrtarisht presidenti i 8-të i republikës së Shqipërisë. Në sallën e parlamentit ditën e djeshme nuk mungoi asnjë prej 74 deputetëve të PS-së, duke e bërë të sigurt zgjedhjen e ushtarakut për President.
Presidenti i Republikës që u propozua nga socialistët arriti të zgjedhej në raundin e katërt ku kërkohet shumicë e thjeshtë dhe mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.