Kosova mposhtet nga Greqia në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve.

Të përzgjedhurit e Alain Giresse u mposhtën nga Greqia në ndeshjen e xhiros së dytë në Grupin 2 të Ligës C.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultatin 0:1, shkruan Gazeta Express.

Kosova e nisi mirë këtë ndeshje, por nuk ia dolën të krijonin raste konkrete për të shënuar. Kjo u shfrytëzua nga grekët, të cilët shënuan përmes Anastasios Bakasetas në minutën e 36-të.

Greqia e mbylli pjesën e parë me epërsi, të cilën e mbajti deri në fundin e ndeshjes.

“Dardanët” provuan ta barazonin rezultatin, por punët për të u vështirësuan edhe më shumë kur Fidan Aliti u përjashtua nga loja në minutën e 72-të.

Si të mos mjaftonte kjo, me karton direkt të kuq u përjashtua edhe Aro Muric, i cili luajti me dorë jashtë zonës.

Greqia tani me gjashtë pikë renditet e para në grup, teksa Kosova është e dyta me tri pikë.

Kosova ndeshjen e radhës e luan më 9 qershor ndaj Irlandës së Veriut. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/