Lajme

Vuçiq: S’do t’i zbatojë pikat që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “TV Prva” ka thënë se në Bruksel të enjten ua ka bërë të qartë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe emisarit për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në Bruksel zhvilluan takime të ndara me krerët e shteteve më të fuqishme evropiane dhe krerët e BE-së. Takimet u zhvilluan në margjina të Samitit të BE-së.

“Vendi ynë nuk është në pozitë të lehtë, por njerëzit nuk kanë arsye për t’u shqetësuar. Kur flasim për Banjskën, shumë thonë se vdiq një person, por vdiqën katër. Ne jemi gati t’i përmbushim gjërat që nuk kanë të bëjnë me plotësimin e kushteve për Pavarësinë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm të bëjmë tjerat dhe dikush duhet ta formojë AKS-në. Shqiptarët po mendojnë dredhi pas dredhie. Nuk po ja dalin, por kjo është në dëm të popullit tonë në Kosovë, që po vuajnë nga terrori i Kurtit”, tha Vuçiq.

Vuçiqi tha se negociatat janë si “një rreth vicioz dhe se shqiptarët po shpikin dredhi pas dredhie”.