Vuçiq: Persekutimin e 2004-s nuk do ta lejojmë, nesër flasim për masat tona
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Kosovën për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që sipas tij, janë shkelur nga siç ka thënë ai “Prishtina zyrtare”.
Vuçiqi teksa ka folur se dëshiron “vetëm paqe”, ka folur edhe me tonë kërcënuese.
Trazirat e marsit të vitit 2004, ai i quajti persekutim të popullit serb dhe sipas tij, “këtë Serbia më nuk do ta lejojë”.
“Do të dimë të mbrojmë popullin tonë. Persekutimi i 2004-s ndaj popullit serb më nuk do të lejohet”, ka thënë Vuçiqi në një konferencë për media në Beograd.
Ai ka thënë se Serbia do të përgjigjet me masa të saj, e që sipas tij, do t’i shkaktojnë “dhimbje palës tjetër”.
“Nesër do të flasim për masat tona, do të jenë të dhimbshme, sidomos në planin ekonomik. Shpresoj të mos jetë e nevojshme të marrim këto masa”, ka thënë Vuçiqi, derisa ka paralajmëruar se Serbia do të ftojë KFOR-in e NATO-n të intervenojë bazuar në autoritetet që kanë.
Për dialogun
“Serbia duhet të jetë e gatshme për dialog edhe në kushtet më të vështira. Por nuk shoh arsye në këtë moment për dialog”, tha ai.
Për Marrëveshjen e Brukselit
“Duhet të marrin përgjigje të shpejtë, shumë të shpejtë se a ekziston Marrëveshja e Brukselit apo jo. Duhet të marrim përgjigje, për 3000 e kusur ditë po na tërheqin për hundë, durimit tonë po i vjen fundi. Për ne ekziston ajo marrëveshje, por le të na thonë nëse edhe për ta nuk ekziston dhe merr fund kjo punë. Nuk bën që ata të marrin çfarë ju pëlqen, e çfarë ju pëlqen serbëve, jo”, tha Vuçiqi.