Vuçiq për takimin me Merkelin: Kam tremë, me të nuk ka budallallëqe
“Me të nuk ka budallallëqe qysh e kanë zakon politikanët serbë, duhet mirë të përgatitem, ndiej tremë”, ka thënë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit me kancelaren gjermane.
Ai do të takohet me Merkel në orën 16, me të cilën, siç ka paralajmëruar, do të bisedojë se si ajo mund ta ndihmojë Serbinë në lidhje me kuotat e BE-së për çelikun, dhe për Kosovën.
Ky është takimi i 15 deri tani, duke përfshirë edhe kohën kur ka qenë kryeministër, ndërsa Vuçiq thotë se ende ka tremë.
“Për shkak se bëhet fjalë për një person i cili është shumë i përgjegjshëm dhe serioz, me të nuk ka budallallëqe siç janë mësuar politikanët serbë, të cilët janë përpjekur t’i hyjnë në qejf dhe të ngjashme. Ajo është tepër serioze, duhet të përgatitesh mirë, të kesh përgjigje në të gjitha pyetjet, të kuptosh mirë se çfarë kërkon Gjermania, të kuptosh çfarë dëshiron Serbia dhe çfarë mund të fitojë më së shumti”, ka thënë Vuçiq në Davos.
“Natyrisht se temë e bisedës do të jetë Kosova”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se e falënderon Merkelin, sepse tregon seriozitet dhe kupton se kjo situatë në Ballkan nuk është e thjeshtë.