Vuçiq pas takimit me përfaqësues të Luginës së Preshevës: Të ndihmojë zhvillimin e jugut të Serbisë”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi të martën me përfaqësues të listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
Këto janë konsultimet e para të Vuçiqit për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve të 21 qershorit.
Në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e presidentit të Serbisë thuhet se Vuçiq “i dëgjoi propozimet, kërkesat dhe nevojat” e përfaqësusve të Luginës së Preshevës, të cilët, për herë të parë në tri dekadat e fundit, kanë marrë pjesë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
“Përfaqësuesit e partive shqiptare kanë folur për qëllimin që shqiptarët të integrohen sa më shumë në institucionet e shtetit të Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e përparimit ekonomik, si në jug të Serbisë, ashtu edhe në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.
Vuçiq citohet të ketë thënë se është i gatshëm që në mënyra të ndryshme “të ndihmojë zhvillimin e jugut të Serbisë”.
Ai tha se do t’i informojë përfaqësuesit e partive shqiptare në 14 ditët e ardhshme për rrjedhën e mëtejshme të formimit të Qeverisë së Serbisë.
Shaip Kamberi, nga Partia për Veprim Demokratik në Bujanoc, i cili mori pjesë në takim me Vuçiqin, tha se vendimi i përfaqësuesve të Luginës rreth qëndrimit ndaj qeverisë së re, “do të varet nga qëndrimi dhe programi që kjo qeveri do të ketë ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre legjitime”.
“Me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e deputetëve të listës shqiptare, biseduam për nevojat e domosdoshme të popullsisë shqiptare, të cilat me dekada po injorohen”, shkroi Kamberi në Facebook.