Vuçiq: Nuk është në agjendën tonë vazhdimi i dialogut me Prishtinën
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se shqiptarët refuzojnë çdo lloj dialogu, bisede dhe marrëveshjeje, madje edhe për personat e pagjetur.
Ai në seancën e Qeverisë së Serbisë, e cila ishte e hapur për publikun, tha se në Kosovë ka gjithnjë e më shumë probleme, raporton b92.
“Nuk është në agjendë tonë vazhdimi i dialogut me Prishtinën”, tha ai.
I pari i shtetit serb gjithashtu ka deklaruar se Prishtina zyrtare nuk do të lejojë mbajtjen e një referendumi më 16 janar.
“Na kanë thënë joformalisht se nuk do të na lejojnë të mbajmë referendum në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq duke shtuar se “Jam i shqetësuar se cilat mund të jenë lëvizjet e ardhshme të Prishtinës”.
“Shpejtësia e përparimit të Serbisë, në rajon po shikohet me shqetësim të pjesshëm ose dëshirë për të mos ecur me atë shpejtësi. Sidomos kur bëhet fjalë për forcimin e ushtrisë sonë, Zagrebi dhe Prishtina janë më të pakënaqurit”, tha Vuçiq.
Duke folur për situatën në rajon, ai tha se duhet të flasim me të gjithë.