Lajme

Vuçiq: Kurti është okupator dhe fajtori kryesor për gjendjen në veri, 52 serbë të lënduar

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se fajtori kryesor për gjendjen në veri të Kosovës, është kryeministri Albin Kurti.

Sipas tij Kurti ka dëshirë të shkaktojë konflikte në Kosovë

“Edhe pse kemi muaj që kemi thënë se Kurti ka vetëm një dëshirë dhe ajo është për të shkaktuar konflikte në Kosovë, pakkush ka dashur të dëgjojë të vërtetën. Ai dëshiron një konflikt mes NATO-s dhe serbëve”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se serbët e mbledhur në këto komuna, janë grumbulluar për t’i përdorur ndërtesat e tyre.

Ka shtuar se ndërkombëtarët nuk i kanë mbrojtur serbët.

“Në mëngjes i kanë pritë KFOR-i dhe teli gjembor, është dashur t’u ndalohet hyrja kryetarëve të komunave që Kurti i ka zgjedhur në tualet, apo kabinet, ky kryetari i rremë i Leposaviqit është ende në ndërtesë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai ka thënë se dy vetura të njësisë ROSU janë ngjyrosur, porse sipas tij, nuk janë sulmuar.

Vuçiqi ka deklaruar se zyrtarët serbë kanë biseduar me zyrtarët e KFOR-it.

“Serbët kanë kërkuar tërheqjen e Policisë dhe kryetarëve të rremë. KFOR-i ka kërkuar që të kalojnë veturat e ROSU-s. Nuk kanë lejuar dhe kështu ka nisur aksioni i KFOR-it kundër serbëve. Ata kanë nisur t’i godasin”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se KFOR-i ka nisur sulmin dhe jo protestuesit.

Ka shtuar se pjesëtarët e njësisë ROSU kanë gjuajtur me armë në drejtim të serbëve, dhe një prej tyre është qëlluar me dy plumba. Ai ka thënë se 52 serbë janë lënduar dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ai ka thënë se të lënduarit janë në Spitalin e Mitrovicës. Vuçiqi ka deklaruar se njësia ROSU ka vendosur snajperë në komunat e veriut, duke shtuar se KFOR-i ka gjuajtur me plumba gome. “Katër persona janë arrestuar, 41 ushtarë të KFOR-it janë lënduar, shumica prej tyre italianë dhe hungarezë”.

Ka deklaruar se për gjithë këtë, fajtor është Kurti. Ka deklaruar se sonte janë shpërndarë forcat serbe, “aty ku na merr mendja se nevojiten”. Vuçiqi ka ftuar serbët e Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n “jo pse kemi frikë por sepse këtë e do Kurti”.

Ai ka thënë se qytetarët serbë duhet të protestojnë sikur sot, siç ka deklaruar ai, në mënyrë paqësore. “Okupatorit serb do t’i tregojmë. Do të bisedojmë me NATO-n dhe do të bëjmë çmos për ta ruajtur paqen”.

Vuçiqi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë mend Kurtit, por ka shtuar se nuk do ta lejojnë përndjekjen dhe vrasjen e serbëve.

Ai ka paralajmëruar se nesër do të ketë takim me QUINT-in. “Nesër në orën 08:00 është caktuar një takim me Quint-n. Serbia dëshiron vetëm paqe”, tha Vuçiq.