Vuçiq: Kosova po sillet me agresivitet, por Serbia është shumë e fuqishme
Në takimin elektoral në Novi Sad, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sërish ka përsëritur se dialog me Kosovën nuk do të ketë përderisa ajo të mos e heqë taksën ndaj të Serbisë, transmeton Koha.net.
Por kësaj radhe ai këtë më shumë ia ka thënë bashkësisë ndërkombëtare teksa Kosovën e ka quajtur agresive:
“Mos e thirrni Serbinë, hiqeni taksën dhe ne vetë do të vijmë. Kosova po sillet me krenari dhe me agresivitet. Po mendon se me çdo lloj mizorie ndaj Serbisë do ta dobësojnë vendin tonë. Fakti se jemi të sjellshëm dhe kërkojmë negociata e dialog, nuk do të thotë se jemi të dobët. Serbia tani është më e fuqishme se që ka qenë para 10 ose 20 vjetësh”, citon blic të ketë thënë Vuçiq .
Ai ka shtuar se këtë duhet ta dinë ata që e nënvlerësojnë Serbinë dhe të cilët mendojnë se mund ta gjunjëzojnë atë.