Vuçiq i përgjigjet Sveçlës pasi policia patrulloi nëpër Ujman
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”.
Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, Vuçiq tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.
Vuçiq tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
“…sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha Vuçiq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një postim në Facebook të enjten se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”
Sveçla tha se kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta.