Vuçiq flet para takimit me kancelarin Olaf Scholz: Jam i shqetësuar
Duke folur për takimin e sotëm me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenti serb Vuçiq kujtoi se kancelarin gjerman e kishte takuar në Hamburg në vitin 2016 dhe thotë se ka qenë nga të paktët që e ka dëgjuar me vëmendje.
“Ne i jemi shumë mirënjohës atij që u tregoi vendeve të ish-Jugosllavisë në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në BE. Ai madje e cilësoi sjelljen e BE-së ndaj këtyre vendeve si të papranueshme. Unë e marr seriozisht dhe kjo na jep shpresë”, theksoi Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Presidenti serb tha se është i shqetësuar që mbështetja për anëtarësimin e Serbisë në BE është në rënie.
“Populli ynë dëgjon vetëm një gjë nga BE-ja: Serbia të njohë Kosovën si të pavarur. Shumë serbë janë të lodhur nga kjo, sepse në të njëjtën kohë në Ukrainë sot shohim një qasje krejtësisht të ndryshme të të njëjtave fuqi perëndimore. Ata kanë një ndjenjë se ka standarde të dyfishta. Megjithatë, mund të them qartë se ne mbetemi të vendosur, në rrugën drejt BE-së”, tha presidenti serb.
Ai shtoi gjithashtu se kjo është arsyeja se pse po takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Në Serbi, Gjermania preferohet nga Bashkimi Evropian-sepse Angela Merkel e mori Serbinë seriozisht. Ne besojmë se mund të marrim të njëjtin respekt dhe vlerësim nga pasardhësi i saj, Scholz. Kjo është gjithçka që na duhet. Ne kurrë nuk kemi kërkuar më shumë, ne duam vetëm një perspektivë të mirë evropiane. Fakti që shumë serbë ndërkohë kundërshtojnë anëtarësimin në BE është sigurisht pasojë e gabimeve tona, por gjysma e fajit i shkon Brukselit”.
Në fund, Vuçiq tha se shpreson që kancelari gjerman dhe fjalët e tij do të përshpejtojnë zgjerimin e BE-së.