Vuçiç: Serbia e ka ndalur eksportin e armëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 23 qershor se Serbia “nuk është duke eksportuar” më armë.
I pyetur nga gazetarët nëse Serbia ka zgjedhur anë në konfliktin Izrael–Iran përmes eksportit të municionit drejt Izraelit, Vuçiq tha se shteti “ka pezulluar të gjitha eksportet” dhe se municionin po e dërgon vetëm në kazermat e ushtrisë serbe.
“Ne tani nuk eksportojmë asgjë. I kemi ndalur të gjitha dhe, nëse do të lejohet diçka, duhet të merren vendime të posaçme dhe të veçanta. Pastaj, do të shohim si do të veprojmë, në përputhje me interesat e Serbisë. Organet më të larta shtetërore do të informohen për këtë”, tha Vuçiq.
Pas mbledhjes së kolegjiumit të zgjeruar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Vuçiq tha se “është një gjë” fakti që Serbia, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e kishte lejuar eksportin e municionit drejt asaj shteti.
“Por, situata sot është ndryshe. Ne tani i kemi ndalur në mënyrë të plotë të gjitha [eksportet] dhe i dërgojmë vetëm për ushtrinë tonë”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikave për eksportin e armëve, Vuçiq tha se kujdeset për sigurinë e shtetit, por edhe për punëtorët në industrinë e mbrojtjes, ku prodhohet municioni që Serbia më herët e eksportonte jashtë vendit.