Vuçiç: Njohja e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimi në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Aleksandër Vuçiç thotë se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk do të diskutohet në takimin e Uashingtonit. “Nuk do të jetë temë diskutimi dhe as që do të lejojmë të jetë e tillë”, theksoi kreu i shtetit serb gjatë inaugurimit të një fabrike.
Javën e ardhshme Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare por ato do të pasohen me një sërë takimesh nga ana e Presidentit Vuçiç
“Kam biseduar dje me Putinin, patëm një diskutim të gjatë. Një ditë pas zgjedhjeve, Lajçak do të vijë në Beograd. Një ditë pas kësaj, do të shkoj në Moskë. Dy ditë pas kësaj, duhet të biem dakord për delegacionin që do të shkojë në Uashington. Pak ditë më vonë, mendoj se do të ketë disa takime edhe më të rëndësishme, për të cilat nuk mund të flas dot tani, pasi kështu na është thënë”, është shprehur Vuçiç.
Presidenti serb u shpreh i habitur se si Kosova ka pranuar që të ndalojë kandidimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe shton se kjo mbetet për t’u parë nëse do të respektohet.
“Mos harroni se Thaçi nuk ka dashur ta pranojë kurrë. Për 4 vjet e kam kërkuar një gjë të tillë, por për 4 vjet ai këmbënguli sepse ka pasur gjithmonë një fushatë të tmerrshme kundër nesh. Për 4 vjet ata nuk e pranuan dhe tani papritur jemi informuar se, kanë rëndë dakord. Të shohim”, tha Vuçiç.
Sa i përket gjendjes mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për udhëheqjen e dialogut, presidenti serb vuri theksin tek rëndësia e ruajtjes së marrëdhënieve me fuqitë e mëdha.
“Pa marrë parasysh se si do të përfundojë, është e rëndësishme që ne të mbetemi të pa dëmtuar në luftën e elefantëve. Ne nuk do të luftojmë me Gjermaninë dhe Amerikën. Po luhet një lojë e madhe mes lojtarëve të mëdhenj në komunitetin ndërkombëtar, për të cilët ne dhe shqiptarët jemi shumë të vegjël. Nga ana tjetër, shqiptarët po merren me lojërat e tyre të brendshme”, nënvizoi Vuçiç.