Lajme

Vritet në Beograd serbi që mbyti një fans francez të futbollit më 2009

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se një nga fansat serbë të futbollit që ishin dënuar për vrasjen e Brice Taton, fansit francez nga Toulouse që u vra më 2009 në Beograd, është vrarë mbrëmë në kryeqytetin serb.

Lubomir Markoviqi, 37-vjeç, lider i grupit të fansave “Alkatraz” të klubit të futbollit Partizan, u vra me dy plumba në kokë nga doras të panjohur, derisa ishte në një pompë benzine në Beograd, transmeotn Koha.net.

Bashkë me 13 huliganë tjerë serbë, më 2012 ai u dënua për vdekjen e Brice Taton, fansi i ekipit Toulouse i cili ishte rrahur për vdekje më 17 shtator 2009, në qendër të Beogradit para një ndeshjeje kundër Partizanit të Beogradit.

I konsideruar si një nga katër liderët e grupit të sulmit, Markoviqi ishte dënuar me 13 vjet burgim por ishte liruar më 2017.

Disa javë më parë, 10 vjet pas vdekjes së tij, Toulouse FC bëri homazhe për fansin Brice Taton me një sërë veprimesh para dhe gjatë një ndeshjeje në kampionatin francez.

DW raporton se 28-vjeçari Taton ishte rrahur brutalisht dhe më pas ishte hedhur nga tarraca e një kafiterie në qendër të Beogradit. Ai kishte vdekur në spital 12 ditë më pas.

Autoritetet serbe kishin arrestuar disa fansa të Partizanit pas incidentit, që kishte ngjallur vëmendje të madhe mediale. Më 2009, Markoviqi ishte dënuar me 30 vjet burgim për rolin e tij në vrasje, por dënimi i tij ishte ulur në 13 vjet. Ai më vonë ishte amnistuar dhe ishte liruar me dorëzani më 2017.

Kundërshtarët e qeverisë dhe mediat e pavarura në Serbi shpesh akuzojnë qeverinë aktuale se mban lidhje me huliganë futbolli dhe banda.

Kujtojmë se Gjykata e lartë në Beograd, janarin e vitit 2011, i kishte dënuar katër organizatorët e grupit, që rrahu për vdekje tifozin francez, me burgim prej 30 deri 35 vjet, ndërsa tetë të akuzuarit tjerë me dënime prej 12 deri 14 vjet burgim.

Dy nga të akuzuarit ishin dënuar me katër, përkatësisht pesë vjet burgim për shkak të sjelljes së dhunshme.

Dënimi i përgjithshëm i të akuzuarve arriti në 240 vjet burgim.

Nga katër të akuzuarit kryesorë, Gjorgje Preliq ishte dënuar me 35 vjet burgim, Dejan Puzigaça me 32 vjet, ndërsa Ivan Grkoviq dhe Lubomir Markoviq me nga 30 vjet burgim.