Lajme

Votohet qeveria e re e Serbisë në krye me Gjuro Macut

Serbia e ka zgjedhur të mërkurën Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri i ri Gjuro Macut dhe do t’i ketë 30 ministra, prej të cilëve 10 janë emra të rinj.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 153 deputetë, ndërsa 46 deputetë votuan kundër në një seancë të Kuvendit të Serbisë të mërkurën.

Në fjalën e tij, Macut tha se Serbia është “e lodhur” nga përçarjet dhe protestat, dhe se duhet të punohet “për harmonizimin e shoqërisë, sepse harmonia mund të ndërtohet përmes dialogut, tolerancës, punës dhe ndërtimit të sistemit të vlerave”.

Ai tha se synimi i tij i parë do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve, puna e të cilave është bllokuar prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar qytetarët për zgjedhjen e Qeverisë së re, ndërsa kryeministrit të ri Macut dhe anëtarëve të kabinetit të tij u ka bërë thirrje “ta çlirojnë vendin nga terrori dhe ta kthejnë në rrugën e suksesit”.

Ndërkohë, Demo Berisha – kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi – u emërua ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, raporton REL.

Paraprakisht, kundër emërimit të tij kishte dalë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Ky emërim nuk është vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Berisha nuk është përfaqësues i të drejtave të njeriut, por simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës”, tha Kamberi në faqen e tij në Facebook të mërkurën.