Von Cramon: Anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është në dorën e Serbisë
Eurodeputetja Viola von Cramon është pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se do të zbatonte të gjitha pikat e marrëveshjes së Ohrit përveç asaj për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ajo tha se hyrja e Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia, ndërsa këtë deklaratë të Vuçiqit, ajo po e sheh për opinionin e brendshëm në Serbi.
“Le të jemi të sinqertë – nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB. E kuptoj që kjo [deklaratë] është për audiencën e brendshme, por në fund të fundit nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit ku Kina apo Rusia ende mund të vënë veton”, tha von Cramon për Nova.rs.
Ajo shtoi gjithashtu se është mjaft e sigurt se pozita ndërkombëtare e Serbisë do të kishte qenë shumë më e mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.