Vjosa Osmani: Kemi dështuar keq, si shtet dhe si shoqëri
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani-Sadriu, ka reaguar pas sulmit që iu bë gruas rome sot në Ferizaj që është i dyti me radhë pasi ajo dy ditë më parë ishte sulmuar edhe në Lipjan.
Osmani-Sadriu në një postim në Facebook e ka quajtur tronditëse, të tmerrshme dhe të turpshme këtë ngjarje.
“Si është e mundur që familjet shqiptare, që vet ishin viktima të përbuzjes, diskriminimit e dhunës, nuk edukojnë fëmijët që të tjerët t’i trajtojnë me dhembshuri, barazi e njerëzi .Si është e mundur që shkollat tona, që ishin viktimë e një sistemi diskriminimi e aparteidi, sot nuk mësojnë nxënësit për respektim të të drejtave themelore të tjetrit, pavarësisht etnisë, ngjyrës e përkatësisë tjetër?”
Ajo ka kritikuar mediat dhe institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
“Si është e mundur që disa media, që vet ishin viktimë e shkeljes së fjalës së lirë e të drejtës së shprehjes, sot të kontribuojnë në krijimin e rrethanave ku të tjerët shndërrohen në target të sulmeve, duke ushqyer urrejtje? Si është e mundur që institucionet e sigurisë e drejtësisë, që ishin viktimë e përjashtimeve masive e diskriminimit, sot të ofrojnë drejtësi selektive?”.
Deputetja Osmani-Sadriu ka thënë se “kemi dështuar keq, si shtet dhe si shoqëri”.