Bota

Protestat e jelekverdhëve të Francës hyjnë në fundjavën e dhjetë

Rreth pesë mijë protestues morën pjesë në protestën më të re që u mbajt sot në Paris. Kjo është fundjava e dhjetë me radhë në Francë që po përcillet me protesta kundër qeverisë së Emmanuel Macronit.
Protestuesit u mblodhën afër ndërtesës së kuvendit dhe vazhduan lëvizjen në pjesën perëndimore të qytetit. Protesta ishte paqësore, ndonëse shumë dyqane ishin të mbyllura në rast të trazirave. Një burim nga policia ka thënë se në Paris kanë qenë rreth pesë mijë protestues, ndërsa protesta janë mbajtur edhe në qytete tjera të vendit.

Disa protestues janë dëgjuar duke brohoritur “Macron, jep dorëheqje”. Disa të tjerë kishin sjellur arkivole për t’i përkujtuar dhjetë viktimat e protestave, të cilët kishin humbur jetën për shkak të aksidenteve të shkaktuara në rrugët e bllokuara.