Lajme

Vizita e gjatë Kurtit në SHBA, asnjë takim me zyrtarë të lartë

Takim me drejtues të shoqatës së bizneseve, ligjëratë në Universitetin e Michiganit, e takim me drejtues të KODE Labs, janë aktivitetet që kryeministri Albin Kurti i ka realizuar në 24 orët e fundit, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.

Por, tash e 11 ditë prej kur Kurti ka udhëtuar përtej Atlantikut, nuk ka zhvilluar ndonjë takim me zyrtarë të lartë amerikanë.

Mungesa e takimeve të tilla, po interpretohet në dy mënyra nga njohës të zhvillimeve në vend.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se mungesa e takimeve të këtilla tregon një mesazh.

Fakti që kryeministri Kurti nuk ka ndonjë takim të nivelit të lart deri më tani është një mesazh i qartë i administratës amerikane që Kryeministri Kurti duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Muhaxhiri.

Por, Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL shpreh pritjen se kryeministri do të ketë edhe takime me zyrtarë të lartë amerikanë.

Unë nuk besoj që kryeministri Kurti dhe një delegacion aq i madh nga Kosova ka shkuar në Amerikë vetëm për takime joformale bilaterale me kompani, por edhe duhet patjetër të ketë edhe takime zyrtare e që ende nuk e dijmë nëse do të ndodhin apo jo”, tha Hoxha.

Në Zyrën e Kryeministrit nuk treguan nëse Kurti do të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë. Në një përgjigje të shkurtër, kanë bërë të ditur se kryeministri do të jetë në Shtetet e Bashkuara edhe gjatë kësaj jave.

“Kryeministri Kurti do të vazhdojë vizitën dhe takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë kësaj jave. Nga Michigan sot ka udhëtuar në Washington D.C. Nga aty do të udhëtojë edhe në Masachusetts dhe në New York”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti, ka udhëtuar më 6 maj