Lajme

Serbi: Peticion për faljen e vrasësit të Zoran Xhinxhiq

Një i dënuar për krime lufte kërkon që njeriu që vrau në vitin 2003 kryeministrin e atëhershëm serb, Zoran Xhinxhiç të lirohet nga burgu, sepse ai e sheh atë si hero lufte.

Më 12 Mars 2003, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Serbisë, Zoran Xhinxhiç u vra në kryeqytetin serb, Beograd. Dy vite më parë më 25 janar 2001 ai ishte bërë kryeministër, pas rrëzimit nga pushteti të pushtetmbajtësit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç. Millosheviçi që kishte nisur tre luftëra donte një shtet të pastër etnik serbomadh në territorin e ish-Jugusllavisë multietnike. Qëllimi i Zoran Xhinxhiç të lindur në vitin 1952 ishte krijimi i një Serbie moderne, demokratike dhe europiane. “Qeveria ime kujdeset për fatin e këtij vendi dhe përpiqet për një bazament të fortë për brezat e ardhshëm, duke e lidhur Serbinë me Europën”, kështu ishte shprehur Zoran Xhinxhiç për programin e tij politik. “Asgjë nuk mund ta ndalë Serbinë në rrugën drejt Europës, në rrugën e familjes demokratike, moderne, të shteteve të zhvilluara.”

Përpjekja e kryeministrit për afrimin e Serbisë me BE u duk edhe në rifreskimin e anëtarësisë së Serbisë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, prej të cilave Millosheviç kishte dalë. Edhe inflacioni mund të ulej nga viti 2000 në 113% në 8% në vitin 2003. Po ashtu u miratua një ligj për luftën kundër krimit të organizuar dhe u hoq dënimi me vdekje. Millosheviçi po ashtu u arrestua e iu dorëzua Tribunalit të Hagës që e akuzoi për krime lufte.Më 12 Mars 2003 Zvezdan Jovanoviç, një anëtar i njësisë për operacione speciale, JSO i policisë serbe, nga një ndërtesë në afërsi të selisë së qeverisë serbe qëlloi mbi Zoran Xhinxhiç. Pak më vonë kryeministri ndërroi jetë, vrasësi u kap dhe e pranoi vrasjen gjatë marrjes në pyetje. Për këtë vrasje u arrestua edhe Milorad Ulemek, i ashtuquajturi “Legija”, ish-komandant i JSO, që së bashku me bandën kriminale “klani i Zemunit” ishin përgjegjës për vrasjen e Zoran Xhinxhiç. Jovanoviç dhe Ulemek u dënuan me 40 vite burgim. Në varrimin e Zoran Xhinxhiç morën pjesë 200.000 qytetare e qytetarë nga shteti 7 milionësh, si edhe 70 delegacione nga e gjithë bota.

Në mars 2020 u rikthye në Serbi, Dragan Vasiljkoviç, i ashtuquajturi “Kapiten Dragani”, pasi kishte kaluar tetë vite e nëntë muaj burg në Austri dhe Kroaci për krime lufte në luftën e vitit 1991-95. Në shtator ai themeloi fondacionin “Kapiten Dragani” me të cilin filloi të mbledhë nënshkrime për lirimin e vrasësit të  Zoran Xhinxhiçit, Zvezdan Jofanoviçin, të cilin ai publikisht e quan hero lufte. Deri më sot asnjë anëtar i qeverisë serbe nuk është distancuar nga kjo iniciativë.

“Mosveprimi për këtë dhe heshtja e qeverisë për peticionin e një të dënuari për krime lufte për faljen e një vrasësi thotë shumë dhe është një mesazh i qartë”, thotë Natasha Govedarica, drejtoreshë e organizatës gjermane humanitare, Shërbimi Civil për Paqen, ZFD për Deutsche Wellen. “Aparati shtetëror që ende ka njerëz të Millosheviçit është deri më sot i bindur, se  Zoran Xhinxhiç duhet të vritej. Një aparat i tillë përkon me një shoqëri, në të cilën një i ashtuquajtur Kapiten Dragani e di, se kush është hero dhe kush është kriminel, kush e meriton lirinë dhe kush duhet të jetë në burg.”

Takim me ministren e Drejtësisë

Edhe mediat në Serbi i japin jehonë publike Vasiljkoviçit që nga dalja nga burgu. Kroacia e dëboi atë pas shlyerjes së dënimit. Gjykata kroate që e dënoi mundi të provonte, se “Kapiten Dragani” ishte përgjegjës ndër të tjera për tortura, keqtrajtim dhe vrasje të të burgosurve në luftën kroate. Këtë nuk e përmendin asnjëherë gazetat, revistat, radiot e televizionet, që e ftojnë atë rregullisht.