Vitia konfirmon se numri i serbëve të infektuar në veri, së shpejti futet në listën e IKSHPK-së
Arben Vitia, ministër në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë, theksoi se me autoritetet lokale në veri të Mitrovicës, janë vazhdimisht në koordinim.
Ka bërë thirrje të lihen anash dallimet politike dhe se sipas tij, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, në vazhdimësi do të punojnë për qytetarët në tërë Kosovën.
“MSH-ja ka qenë në koordinim me autoritetet lokale në komunat veriore për çdo veprim, dhe jemi ende në koordinim me to, vendimi për karantimin të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, është marrë nga MSH-ja me koordinimin të plotë me autoritetet lokale. Unë marrë përgjegjësi nëse nuk është kështu. Të gjitha dallimet politike të lihen anash, primare është shëndeti i qytetarëve tanë, pa dallim do të ofrojmë ndihmën tonë në çdo cep të vendit”, theksoi Vitia, raporton KOHA.
Vitia tha se në koordinim me autoritetet lokale, 2 ekipe nga IKSHP-ja kanë shkuar në ato pjesë të veriut dhe kanë bërë mbi 90 mostra dhe dolën 3 pozitivë.
“Një pjesë e mostrave që janë realizuar më herët dhe që nuk janë realizuar në Prishtinë nuk janë regjistruar akoma por jemi në koordinim me autoritetet lokale të cilat do të dërgojnë numrin e saktë të personave të infektuar e më pas do të futen e update-ohen në të dhënat e reja që do të nxjerrë IKSHPK-ja”, tha Vitia.
Ndërsa, drejtori i Policisë Rashit Qalaj tha se të gjithë pjesëtarët serbë që kanë hyrë në Kosovë prej kur ka nisur përhapja e pandemisë Covid-19, është bërë me dijeni dhe me leje nga autoritetet kosovare.
“Me leje kanë hyrë në Kosovë shumë pjesëtarë serbë, e mjekë për t’i kontrolluar qytetarët serbë”, tha ai.