Visar Ymeri: Shaip Kamberi dje në Kuvendin e Serbisë bëri historinë
Anëtari i Partisë Social-Demokratike (PSD) Visar Ymeri ka komentuar fjalimin e deputetit popullor Shaip Kamberit i cili dje dridhi parlamentin e Serbisë me fjalimin e tij, transmeton Ministria e Lajmeve.
Z.Ymeri e konsideron se z.Kamberi dje bëri historinë në Kuvendin e Serbisë.
Postimi i plotë :
Shaip Kamberi dje në Kuvendin e Serbisë bëri historinë. Ishte i paprecedentë. Sepse situata në Serbi është e paprecedentë në shumë aspekte. Kuvendi i Serbisë sot i ka vetëm 6 opozitarë. 3 shqiptarë e 3 boshnjakë. Opozita e vetme sot në Serbi pra vjen nga pakicat kombëtare. Ky mund të llogaritet si fundi i politikës. Por Kamberi megjithatë nuk e lejoi një gjë të tillë. Ai e rinisi një politikë të re. Foli si asnjë më herët për defektin enorm demokratik që e ka sot Serbia. Foli për atë se si neoliberalizmi, autokracia e shovenizmi po ri-institucionalizohen në Serbi. Dhe, me të drejtë, këtë e vlerësoi si rrezik të madh, para së gjithash dhe mbi të gjitha për popullin serb dhe për secilin qytetarë në Serbi. E njëkohësisht rrezik të madh për secilin shtet fqinj të Serbisë.
Kështu Kamberi mori bajrakun – atë të udhëheqësit diskursiv dhe ideor të opozitës në Serbi. Dhe kështu u vlerësua nga të gjitha ngjyrat tjera politike e intelektuale në Beograd, me përjashtim të qarqeve hegjemone të Vuçiqit. Shaip Kamberi filloi të rrezatojë shpresën për demokraci e barazi në Serbinë përherë e më të mbyllur në autokracinë neoliberale.
Shqiptari nga Tërrnoci sot po bëhet zëri i parimeve universale politike. Jo duke valvitur flamurin kombëtar dhe duke recituar vargje e këngë kreshnike. Por përmes zbërthimit të universales në kontekstin shqiptar, boshnjak, por mbi të gjitha atë qytetar në Serbinë e sotme. Pra, Kamberi nuk është shqiptari që flet për Universalen, por universalja që flet edhe për shqiptarin. Dhe paradoksalisht një nacionalist shovenist sikur Vuçiqi, qeveria e të cilit kishte për qëllim të dukej sikur demokratike e përparimtare, më së shumti e urren një shqiptar si Shaipi. Sepse Shaipi nuk po i flet vetëm shqiptarëve. Edhe më keq se kaq, nuk po flet vetëm për shqiptarët. Sëkëndejmi po e hap një hapësirë të re politike. Krahas dhe përtej të drejtave kombëtare (flamurin e Abetaren shqip) Shaipi po thotë që janë edhe të drejtat qytetare, barazia e mirëqenia, ato që e afirmojnë shqiptarin. Ashtu siç e afirmojnë boshnjakun. Ashtu siç e afirmojnë edhe serbin. Sepse Kamberi dje nuk a akuzoi qeverinë e Serbisë vetëm si anti-shqiptare. Këtë e dijnë të gjithë. Madje Vuçiqi në heshtje, e Vulini e Daçiqi zhurmshëm, krekosen me anti-shqiptarizmin e tyre. Shaipi dje e dëshmoi se ata janë kundër popullit, sepse janë kundër barazisë, mirëqenies, demokracisë. Pra Shaipi e dëshmoi se ata janë kundër serbëve po ashtu. Prandaj u ndërpre nga Daçiqi. Dhe u ndërpre pikërisht kur ishte duke e dëshmuar se si Daçiqi e Vuçiqi në fakt janë kundër serbëve. Sepse për nacionalistin shovenist, shqiptari edhe mund të flas për të drejtat e shqiptarëve, por në asnjë mënyrë nuk lejohet të flas për të drejtat e mirëqenien e serbëve. Sepse janë të periferisë. Dhe nuk mund të sillen sikur vijnë nga qendra.
Por është e çuditshme dhe e pafalshme se si ky fjalim e ky qëndrim thuajse u injorua në Prishtinë dhe Tiranë. Drejtuesit institucionalë e politikë në këto dy kryeqendra nuk prajnë së uruari (e krekosuri!) kur shqiptarët në Luginë fitojnë 3 deputetë. Por nuk bëzajnë kur këta deputetë veprojnë. Kur tregojnë subjektivitet dhe integritet politik. Pra janë te qenia. Por jo te bërja. Ose mbase nuk pajtohen me atë që e tha Kamberi. Por atëherë duhet ta kritikojnë. Të tregojnë pse qëndrimet e Kamberit nuk qenkan të drejta, e të domosdoshme. Ku paska gabuar Kamberi? Por jo. Zgjedhin heshtjen. Sepse Kamberi në këtë rast nuk tregoi servilitet as ndaj Prishtinës e Tiranës. Me fjalimin e tij tregoi se shqiptarët e Luginës, boshnjakët e Sanxhakut, e shumë të tjerë si ata, kanë zë e mendje të vet. Dijnë të mendojnë e të artikulojnë. Pra nuk qenkan të varur nga ne. Këtë ‘gabim’ nuk mund t’ia falim Kamberit. Ai dhe të tjerët atje duhet ta dijnë se përkrahja nga ne vjen vetëm nëse reduktohen në politikë provinciale dhe përqendrohen vetëm te të drejtat për shqiptarët e Luginës. Jo ta universalizojnë qëndrimin. Sepse janë të periferisë. Nuk mund të sillen sikur vijnë nga qendra.