Lajme

Vijat e kuqe të Kosovës, grupi negociator do kërkojë reciprocitet me Serbinë

Platforma për dialogun me Serbinë është miratuar nga ekipi negociator i Kosovës dhe të premten do t’i dërgohet për votim Kuvendit. Bashkëkryesuesi i ekipit Shpend Ahmeti, tha pas takimit se në platformë janë përcaktuar ndër të tjera edhe vijat e kuqe.

Ekipi negociator i Kosovës ka miratuar platformën për dialogun me Serbinë dhe të premten do ta dërgojë për miratim në Kuvend. Kjo platformë do të vendosë parimet mbi të cilat Kosova do të negociojë me Serbinë dhe po ashtu temat të cilat do të diskutohen.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, tha pas takimit se në platformë janë përcaktuar ndër të tjera edhe vijat e kuqe.

I pyetur se a nënkuptojnë vijat e kuqe shkëmbim të territoreve, Ahmeti tha se platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës integriteti territorial i Kosovës është i garantuar, ndërsa shtoi se në dialog do të ngrihen tema që nuk janë përmendur më parë.

 “Përveç çështjeve të krimeve të luftës, të cilat ne mendojmë se trajtimi është i pabarabartë, kemi mbi 13 mijë viktima, shumica e tyre as nuk e dinë se çka ka ndodhur, por në të njëjtën kohë as ata që i kanë kryer këto krime para drejtësisë. Të flasim për dëmshpërblime, qofshin ato kolektive ose individuale, ne si shtet edhe sot i vuajmë pasojat e dëmeve, të cilat na i ka shkaktuar Serbia në luftë, qoftë përmes shkatërrimit të aseteve ekonomike e mos të flasim për dëmet individuale që ua ka bërë viktimave të ndryshe, pra në mbi 100 mijë shtëpi të djegura. Po ashtu, e kemi ngritur çështjen e viktimave seksuale”, ka thënë Ahmeti.

Bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator, Fatmir Limaj, tha se thënë se për platformën janë konsultuar me të gjitha institucionet dhe ekspertët përkatës, ndërsa pas votimit nga Kuvendi, do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

I pyetur se a janë të përfshira në këtë platformë veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, Limaj nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Jemi bazuar në dokumentet tona në të cilat është i bazuar shteti i Kosovës, Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe tani e tutje, gjithashtu, njëri nga paragrafët parasheh reciprocitet të plotë me të drejtat e komuniteteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi në raport me minoritetet në këtë rast”, ka thënë Limaj.

Kryenegociatorët gjithashtu u bënë thirrje partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat kanë refuzuar të jenë pjesë e ekipit negociator, që ta lexojnë platformën para se të vendosin për votimin e saj.