Lajme

Vetëvendosje: Mitrovica mbeti e ndarë për shkak të dialogut që qëllim kishte copëtimin e Kosovës

Në vazhdën e vizitave, Lëvizja Vetëvendosje ka qëndruar sot në qytetin e Mitrovicës ku është takuar me qytetarë.

Vetëvendosje thotë se Mitrovica më shumë se asnjë vend tjetër e ka vuajtur ndarjen e diskriminimin politik dhe ekonomik.

Përmes një njoftimi për medie, ata kanë thënë se ky qytet është i ndarë për shkak të dialogut që sipas tyre synim ka pasur copëtimin e Kosovës.

Ndër të tjera ata kanë kritikuar mosinvestimin në Trepçë, duke thënë se nuk është investuar që nga paslufta.

Sipas Vetëvendosjes, Mitrovica është indikatori më i saktë për ta kuptuar si është qeverisur me Kosovën për gjithë këto vite.

“Angazhimi qytetar, e veçanërisht protesta e madhe e 29 shtatorit e ndaloi projektin tejet të dëmshëm të ndarjes së vendit, e tash së bashku ka ardhur koha ta ndalim edhe vjedhjen prej PAN-hajnisë”.

“Në Mitrovicën plot entuziazëm e vullnet qindra qytetarë na u bashkëngjitën në takimin e radhës, në iniciativën tonë të përbashkët, për ta larguar korrupsionin nga pushteti e për të sjellë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre Mitrovica ka nevojë për ndryshim e bashkim, dhe ato do të vijnë me zgjedhjet e reja e me qeverisjen e Lëvizjes.