Vetëvendosje i refuzon Nismën dhe AKR’në për koalicion
Ani pse NISMA Socialdemokrate së bashku me AKR-në dhe PD-në momentalisht janë duke qëndruar mbi pragun zgjedhor, dy partitë e para të dala nga zgjedhjet e gjashtë tetorit nuk po i shohin si partner të mundshëm në koalicionin që do të përbëjë qeverinë.
Nga partia e Albin Kurtit kanë thënë se zgjedhjet e gjashtë tetorit ishin mesazh i qartë. Tutje, kanë bërë të ditur se momentalisht në parti janë duke diskutuar për bashkëpunim me pakicat jo serbe.
“Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë mesazh i qartë: populli ka votuar për ndryshim dhe ata që deri dje ishin në qeverisje të kalojnë në opozitë. Tash për tash jemi të fokusuar që të ndërtojmë koalicionin qeverisës me LDK. Ekziston mundësia për bashkëpunim edhe me pakicat jo serbe. Mirëpo, fryma në Lëvizjen tonë është që të mos kemi koalicion me koalicionin Nisma-Akr. Por përtej kësaj ende s’janë certifikuar rezultatet dhe për ne rezultate zyrtare janë ende ato që i ka shpallur KQZ”, ka deklaruar për Express, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media në Lëvizjen Vetëvendosje.
Tashmë, kanë kaluar më shumë se një javë prej kur kanë përfunduar takimet në mes të grupeve punuese për harmonizim të programit në mes të LDK-së, e Lëvizjes Vetëvendosje.
Që nga atëherë, nuk ka pasur ndonjë takim në nivel të liderëve, derisa, është bërë e ditur se dy partitë janë duke pritur takimin kur do të diskutohet për tema të mëdha si ndarja e qeverive, e dialogu pasi që të certifikohen rezultatet.
Ndryshe, ky proces si duket do të zgjasë edhe këtë javë, pasi që pas vendimit të PZAP-së, deri më tani janë numëruar vetëm 41% vendvotime.
Pas ankesës për votat e ardhura nga Serbia për të cilat vendosi PZAP që nuk do të hyjnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vendim ky që u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme, pati disa përplasje në mes të zyrtarëve të Vetëvendosjes e Nismës Socialdemokrate, që eskaluan edhe në akuza në mes të dy partive.
Sa i përket asaj se a do të bashkohet në koalicionin VV-LDK, që me shumë gjasë do të përbëjë qeverinë e ardhshme edhe Nisma, ka folur ditë më parë edhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Sipas tij, është VV ajo që do të vendosë se kush e përbën qeverinë, pasi që ata kanë dalë si parti e parë nga zgjedhjet.