Lajme

Veseli shpërthen ndaj Bashkimit Evropian pas lirimit të kriminelit Miodrag Sholaja

Kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, në një postim në Facebook ka reaguar ashpër pas lirimit të kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”.

Veseli thotë se është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe, teksa thotë se BE po funksionon me standarde të dyfishta.

Ai premton se si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës së tij për një tribunal që në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë.

Postimi i plotë:

Lirimi i parakohshëm i kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”, është një akt i turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani. Edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur.

Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta .

Nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbërt Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave. Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosove ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”.

Kosova nuk duhet të lejojë qē historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal qē në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë.