Lajme

Veseli: Në Beograd jetojnë të lirë shumë Karaxhiqë të tjerë që urdhëruan masakrat në Kosovë

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se dënimi me burgim të përjetshëm i Radovan Karaxhiqit është satisfaksion moral për qindra mijëra viktima, por s’është mbyllje e kapitullit të drejtësisë për luftërat që ka bërë Serbia.

Ai ka thënë në një postim në Facebook se në Serbi jetojnë “të lirë shumë Karaxhiqë tjerë që urdhëruan masakrat në Kosovë”.

Sipas Veselit, Kosova s’i ka harruar ato dhe nuk do të heqë kurrë dorë nga kërkimi i drejtësisë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Aktgjykimi përfundimtar i Tribunalit të Hagës që dënon me burg të përjetshëm Radovan Karaxhiqin për gjenocidin e kryer në Bosnjë e Hercegovinë është satisfaksion moral për qindra mijëra viktima të pafajshme. Njëkohësisht është konfirmim i faktit se Serbia ishte agresori i luftërave që përgjakën ish Jugosllavinë. Por, ky aktgjykim nuk duhet të kuptohet si mbyllje e kapitullit të drejtësisë për këto luftëra. Në Beograd ende jetojnë të lirë shumë Karaxhiqë të tjerë, të cilët urdhëruan masakrat në Kosovë. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Kosova nuk harron dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga kërkimi i drejtësisë.