Veseli: Lugina e Preshevës ka nevojë për ndihmën e shtetit të Kosovës
Kreu i PDK-së Kadri Veseli sot ka zhvilluar biseda telefonike me liderë shqiptarë që janë bartës institucionesh në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, në lidhje me gjendjen e qytetarëve shqiptarë në kushtet e pandemisë me koronavirusin e ri COVID-19.
Ai përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, nga i cili është informuar në lidhje me masat e ndërmarra në përballimin e gjendjes me koronavirus.
Në bisedën me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, kryetari Veseli është njoftuar edhe për gjendjen e shqiptarëve dhe pakon gjithëpërfshirëse ekonomike që kanë miratuar për të shpëtuar ekonominë nga pasojat e COVID-19.
Veseli një bisedë telefonike ka zhvilluar edhe me Genci Nimanbegun, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, i cili ka bërë të ditur se gjend ja në këtë shtet është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe se shqetësimi kryesor i shqiptarëve është rrezikimi i sezonit të ardhshëm turistik prej pandemisë.
Ndërsa gjatë bisedës me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin, është bërë e ditur se gjendja në Luginën e Preshevës është e rëndë dhe bashkëkombësit tanë atje janë anashkaluar tërësisht prej autoriteteve qendrore të Beogradit
”Ajo që e bën akoma më dramatike gjendjen e tyre është fakti që dhjetëra-mijëra shqiptarë shërbimet shëndetësore mund t’i marrin vetëm nga spitali i Vranjës, i cili është tashmë i tejngarkuar. Lugina e Preshevës ka nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shtetit të Kosovës”, ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.