Venecia përfshihet nga vërshimet më të mëdha në 50 vjetët e fundit
Qyteti i famshëm, Venecia e Italisë, është goditur nga vërshimet me të mëdha në më shumë se pesëdhjetë vjet. Sheshi i Shën Markut u mbulua nga uji që u soll nga era e fortë, gjë që shkaktoi probleme për qarkullimin e turistëve.
Valët e pazakonta arritën lartësinë në 1.87 metra, ndërsa autoritetet e aktivizuar alarmin e vërshimeve pranë kanaleve ujore të qytetit.
“Tash për tash jemi duke e përjetuar një baticë jashtëzakonisht të lartë. Të gjithë janë mobilizuar për t’u përballur me këtë situatë emergjente”, tha kryetari i Venecias, Luigi Brugnaro.
Vetëm një herë në histori që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 1923, qyteti e kishte përjetuar në baticë më të lartë. Kjo kishte ndodhur në vitin 1966, kur batica e kishte arritur nivelin e 1.94 metrave.
Shërbimet emergjente i kontrolluan kanalet e qytetit për dëmet e mundshme, ndërsa mediet lokale raportuan se një 78-vjeçar ka vdekur pasi u godit nga rryma kur uji i kishte depërtuar në shtëpi.
Roja bregdetare vendosi në dispozicion barka shtesë për të shërbyer për transportimin e njerëzve ose largimin e tyre nga zonat e rrezikuara nga vërshimet.
Kryetari i qytetit tha se do ta shpallë gjendjen e fatkeqësisë dhe tha se ky vërshim është pasojë e ndryshimeve klimatike.