Bota

Biden zgjidhet president i ri i SHBA-së

Joe Biden është përzgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, duke ia mohuar presidentit Donald Trump një mandat të dytë.

Bideni fitoi zgjedhjet duke rrëmbyer 20 votat elektorale të Pennsylvanias të shtunën, pas disa ditësh numërimesh. Triumfi në Pennsylvania e ngriti votën e përgjithshme elektorale të Bidenit në 284, duke tejkaluar pragun prej 270 votash të mjaftueshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Populli amerikan ka zëvendësuar biznesmenin që s’kishte përvojë të mëhershme politike me një veteran të Washingtonit që kaloi më shumë se 50 vjet në jetën publike dhe që dy herë kishte dështuar në garën për president.

Ai mori më së shumti vota në histori të garës për president në SHBA. Demokrati është zotuar se do të bashkojë vendin në mandatin e tij.

Rezultati shkruan një tjetër histori. Kamala Harris bëhet gruaja e parë zëvendëspresidente në histori të SHBA-së.